Disfata turpëruese me Bosnjën, Gattuso i zhgënjyer: E ardhmja ime nuk ka rëndësi, më vjen keq që nuk ia dolëm
Për të tretin edicion radhazi, Italia nuk do të marrë pjesë në Kupën e Botës. Në vitin 2026, “Azzurrët” do ta ndjekin turneun nga shtëpia, që do të zhvillohet në Kanada, Shtetet e Bashkuara dhe Meksikë, pas humbjes dramatike me penallti ndaj Bosnjës.
Pas 120 minutash shumë intensive që përfunduan 1-1, ishte skuadra e drejtuar nga Barbarez që triumfoi në goditjet e penalltive me rezultatin 5-2. Ndeshja në Zenicë nisi mirë për Italinë, pasi në minutën e 15-të Kean kaloi ekipin e drejtuar nga Gattuso në avantazh, duke përfituar nga një gabim i portierit Vasilj.
Megjithatë, në minutën e 41-të, Bastoni u ndëshkua me karton të kuq si lojtari i fundit, duke lënë Italinë me një lojtar më pak. Pavarësisht disavantazhit numerik, Kean, Pio Esposito dhe Dimarco patën raste të mira për të dyfishuar rezultatin, por në minutën e 79-të Tabakovic barazoi për Bosnjën.
Në kohën shtesë pati pak emocione, duke bërë që gjithçka të vendosej nga pika e bardhë. Pio Esposito gaboi penalltinë e tij, ndërsa Cristante goditi traversën. Ndërkohë, lojtarët e Bosnjës nuk gabuan asnjëherë dhe siguruan kualifikimin për në Botëror.
Për Italinë, kjo është një tjetër zhgënjim i madh, pasi Kombëtarja nuk arrin të kualifikohet në fazën finale që prej vitit 2014, duke zgjatur edhe më shumë pritjen për rikthimin në elitën e futbollit botëror.
Top Channel