Sot afati i fundit për ‘DIVA’/ Mbi 145 mijë individë dorëzojnë deklaratën, gjobë për ata që nuk e plotësojnë

31/03/2026 15:19

Këtë të martë 31 mars është dhe afati i fundit për individët dhe bizneset të cilat duhet të plotësojnë DIVA ose thënë ndryshe Deklaratën Individuale të të Ardhurave Vjetore.

Administrata Tatimore ka bërë një tjetër thirrje publike për tatimpaguesit që të përmbushin në kohë detyrimin për dorëzimin e deklaratave tatimore vjetore për vitin 2025, teksa afati përfundimtar, i unifikuar për herë të parë, mbyllet më 31 mars 2026.

Sipas të dhënave zyrtare, deri në këtë datë janë dorëzuar në total 276,906 deklarata, të shpërndara sipas kategorive kryesore të tatimpaguesve. Konkretisht, 102,840 deklarata i përkasin të ardhurave nga biznesi (TAPB), 28,812 deklarata janë dorëzuar nga subjektet për tatimin mbi të ardhurat e korporatave (TAK), ndërsa pjesën më të madhe e zënë individët me 145,254 deklarata për të ardhurat personale (DIVA).

Deklaratën e plotësojnë dhe dorëzojnë individët me të ardhura mbi 1.2 mln lekë, individët me më shumë se një burim të ardhurash, të vetpunësuarit, individët me të ardhura nga qiraja. Kush nuk e dorëzon deklaratën gjobitet me 3 mijë lekë, të cilës i bashkëngjitet edhe interesi dhe kamatëvonesa. Plotësimi i kësaj deklarate i shërben Administratës Tatimore për të bërë kontrolle për evazion fiskal si dhe për të hetuar pasurinë.

Bazuar në Strategjinë Afatmesme të të Ardhurave 2024-2027, deklaratat e DIVA-s do të jenë objekt analizash nga administrata tatimore dhe do të shërbejnë si bazë për të ballafaquar të ardhurat e deklaruara me pasurinë që disponon individi, hap ky që ndërmerret për të goditur fshehjen e të ardhurave reale.

Top Channel