“Ç’e ke atë Mehmetin kryeministër, për këtë vend është Beqiri”, dhëndri i Kadri Hazbiut zbulon preferencat e kinezëve: Enveri e pushkatoi Ballukun brenda qelisë

31/03/2026 07:40

Agron Aranitasi, dhëndri i Kadri Hazbiut, ish -ministri i brendshëm në fillim të viteve ’80, rrëfen në Exclusive në Top Channel gabimet politike të Mehmet Shehut që ccuan në vrasjen e tij.

Ai thotë se Silva Turdiu ishte e dashuruar më parë me djalin e Kadri Hazbiut, por ky i fundit kishte ndërhyrë për ta prishur këtë marrëdhënie, një gjë që Mehmet Shehu nuk e bëri.
Monika Stafa: Si e keni njohur Mehmet Shehun? Dhe cili është version juaj i eleminimit të tij? Përse mendoni se Bashkimi, djali i tij, nuk thotë të vërtetën në disa gjëra rreth jetës së tij? (ajo mbi ekzekutimin e shumë oficerëve italianë të dorëzuar tek forcat partizane)

Agron Aranitasi: Mehmeti ishte një figurë që, unë biles, shumë veta mendojnë që po të mos kishte vrarë veten, ai do ta dënonte…. Ishte figurë shumë e fuqishme. .. Dhe pavarësisht se ishte shumë i rreptë, i egër me njerëzit, por ishte shtetar. Por mendimi im dhe do ta them te pjesa e Hysniut, nuk ishte politikan. .. Një njeri në atë kohë, që kishte pas kurrizit lavdinë e Spanjës, se vajti i ri vajti luftoi në Spanjë, pastaj kishte brigadën e parë, se është një realitet që nuk mund ta mohosh, ishte brigada e parë që u krijua dhe quhet më e lavdishmja.

Dinte 5-6 gjuhë, nuk i ka mësuar siç i mësojmë ne sot gjuhët me libër, ai ka jetuar atje. Ai ka jetuar në Spanjë dhe mësoi spanjishten dhe të shohësh poezitë që shkruan, ka pasur dhunti letrare Mehmet Shehu, ka pasur kulturë. Merrte vesh nga ekonomia, se ai mbaroi shkollën amerikane për ekonomi agrare dhe mësoi anglishten. Vajti në Bashkimin Sovjetik për akademinë Voroshillov, nuk e mbaroi se e thirri Enver Hoxha që ta bënte shef të Shtabit të Përgjithshëm, se ministër ishte vetë Enveri. Në Itali ka bërë shkollë. Ai dinte 4-5 gjuhë në mënyrë të shkëlqyer, e rrallë për atë kohë. Unë them edhe sot e rrallë për pushtetarët e sotëm.
Monika Stafa: Në libër përshkruan një fakt interesant… ndër të tjera shpjegon se nuk ishte Kadri Hazbiu ai që denoncoi tek Enver Hoxha faktet kundërshtuese që e bënin familjen Turdiu të papërshtatshme për një fejesë me familjen Hoxha. Sa e vërtetë është kjo?
Agron Aranitasi: Unë kam lexuar, sepse dosja e Kadri Hazbiut përmban brenda të gjitha deponimet e Fiqirete, të Bashkimit, të Skënderit, ata i detyruan. Biles mua i njëjti hetues më ka thënë që Skënderin e kanë torturuar, e kanë rrahur. Se unë, po të shohësh dy deponimet e para, se do flasim për Silvën, tregon ai dashurinë për Silvën, janë të sinqerta, janë të vërteta, ashtu siç ndodhën në të vërtetë. Pas tre muajsh ai fillon mbështet variantin e hetuesisë së sigurimit të shtetit, që ato ishin veprime armiqësore të diktuara nga amerikanët dhe nga Mehmet Shehu që u shërbente atyre. Unë i kam lexuar ato të gjitha. Do isha kurioz, sikur për një moment Mehmeti të merrte vesh çfarë thanë familja e tij në kurriz të tij. Të garantoj që do reagonte shumë keq. Por të thashë që nuk u vë faj, dhe unë nuk mund të flas kurrë për njerëzit që kanë përjetuar burgun. Unë kam dokumenta që ka vajtur Hekuran Isai te Fiqirete dhe i ka thënë. I ka thënë që mendo për fëmijët e tu dhe për familjen tënde. .. Në procesin e parë emri i Kadri Hazbiut nuk ekziston, të gjitha për vrasjen e Enverit nga sovjetikët, urdhrat që jepnin sovjetikët ia ngarkonte Nesti Nasës, urdhrat vinin nga jugosllavët gjoja, ia ngarkonte Feçor Shehut. .. Dhe besomë, gjatë gjithë procesit gjyqësor edhe hetimor, asnjëherë nuk kanë ballafaqur Fiqirete Shehun me Kadri Hazbiun, e kanë ballafaquar me të birin Skënderin, e kanë ballafaquar me të gjithë të tjerët, me Fiqireten jo. Se ata e dinin që Fiqirete para atij pastaj nuk do fliste dot.
Kadri Hazbiu nuk mund ta denonconte te Enver Hoxha fejesën e Skënderit, sepse i biri i Hazbiut dashuronte Silvën dhe dashuroheshin prej një kohe relativisht të gjatë. Kadriu e ka marrë vesh në tetor të ’81. Ndërhyri, e prishi. Ai tha këtë gjë… Ai kishte shumë respekt për Silvën, ka qenë tifoz i Dinamos, ai është krijuesi i klubit të Dinamos, sot nuk e thonë, por ai është krijues i klubit të Dinamos. Ai tha që ajo është vajzë shumë e mirë, por nuk është për familjen tonë. Thjesht biografia. Domethënë ai mbajti një qëndrim në përputhje me idieologjinë. Por Kadriu ishte komunist, ai nuk e ka mohuar kurrë këtë gjë.
Monika Stafa: Pse nuk ndërhyri Mehmeti?
Agron Aranitasi: Mehmeti është i sinqertë kur i thotë Enver Hoxhës që e bëra vetëm për Skënderin. Është një diskutim i gjatë për këtë. Dhe ai e ka bërë vetëm për Skënderin, se Skënderi kishte patur një problem shëndetësor dhe ai kishte frikë se Skënderi bënte ndonjë gjë me veten. .. Po mos harro që në atë kohë Mehmeti ishte kryeministër dhe sekretar i Komitetit qëndror dhe sekretar i komitetit qëndror në vendin e Hysni Kapos. Pra, kontrollonte të gjithë armët e diktaturës dhe të mbrojtjes, si nga qeveria dhe nga partia. Ai ishte shumë i fuqishëm. ..për mua, harroi që Enver Hoxha ishte gjallë. Ai mendoi që Enveri do ta pranonte por Enveri ishte testatori që e caktoi pasardhës, ishte po testatori që mund ta anulonte atë. Dhe Mehmeti ka bërë disa gabime të mëdha në atë kohë. Fejesa vjen më vonë. Mehmeti ka bërë një gabim shumë të madh që ra në sy atëherë, kur u bë ministër i mbrojtjes. Menjëherë në repartet ushtarake, për këta që kanë bërë zbore si puna ime, shihnin stendat e propagandës, ku ishin fotografitë e Enver Hoxhës, edhe të ministrave të mbrojtjes, por citatet e Enver Hoxhës me shumicë, këta të tjerët ndonjë llaf kështu. Në atë kohë kur vajti Mehmeti lulëzoi një lloj dualizmi në citate dhe fotografi. Enveri e ndjeu si rivalitet. ..

Top Channel