Të shtëna me armë në një shkollë në Argjentinë/ Humb jetën 13-vjeçari, plagosen 8 të tjerë

30/03/2026 21:14

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Argjentinën, ku një nxënës 15-vjeçar hapi zjarr brenda një shkolle, duke lënë të vdekur një 13-vjeçar dhe duke plagosur të paktën tetë të tjerë.

Sulmi ndodhi në Shkollën Pedagogjike “Mariano Moreno N°40” në qytetin San Cristóbal, në provincën Santa Fe, rreth orës 07:15 sipas orës lokale, ndërsa nxënësit po merrnin pjesë në ceremoninë e ngritjes së flamurit.

Sipas autoriteteve, 15-vjeçari nxori një armë nga çanta dhe qëlloi disa herë drejt bashkëmoshatarëve, përpara se të neutralizohej dhe të arrestohej nga policia. Dyshohet se arma ishte fshehur në një kuti kitare.

Nga të shtënat humbi jetën një djalë 13-vjeçar, ndërsa të paktën tetë të tjerë mbetën të plagosur. Dy prej tyre janë në gjendje më të rëndë dhe janë dërguar për trajtim të specializuar, ndërsa të tjerë pësuan lëndime gjatë përpjekjeve për t’u larguar nga ambientet e shkollës në panik.

Burime mjekësore bëjnë me dije se jeta e të plagosurve nuk është në rrezik. Ndërkohë, autoritetet po hetojnë motivet e sulmit, përfshirë edhe mundësinë që ai të lidhet me raste të ngacmimit (bullizmit).

Dëshmitarët përshkruajnë momente paniku. “Pamë një djalë që doli nga tualeti me armë dhe filloi të qëllonte. Të gjithë nisëm të vraponim”, tregoi një nxënëse për mediat lokale.

Zyrtarët lokalë konfirmuan viktimën, ndërsa guvernatori i Santa Fe, Maximiliano Pullaro, u shpreh se një ngjarje e tillë është e paprecedentë për rajonin. Autoritetet shpallën dy ditë zie, ndërsa mësimi është pezulluar dhe shkolla do të qëndrojë e mbyllur.

Ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe në komunitet, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e sulmit. Sulme të tilla janë jashtëzakonisht të rralla në Argjentinë, me rastin më të rëndë të regjistruar në vitin 2004 në Carmen de Patagones.

Top Channel