Sulm amerikano-izraelit në një jetimore pranë Teheranit, dy të vrarë dhe pesë të plagosur Shtetet e Bashkuara rrisin presionin ndaj Tajvanit për të investuar më shumë në mbrojtje.
Një delegacion senatorësh kërkon miratimin urgjent të buxhetit ushtarak. Debati në parlamentin tajvanez thellohet mes ndasive politike.
Një delegacion senatorësh amerikanë ka rritur presionin ndaj Tajvanit për të miratuar një buxhet të ri të posaçëm për mbrojtjen, në një kohë kur tensionet me Kinën mbeten të larta. Gjatë një vizite në Taipei, senatori republikan John Curtis e cilësoi “shumë të rëndësishëm” miratimin e këtij buxheti për sigurinë e ishullit.
Pas takimit me presidentin tajvanez, senatorët theksuan se SHBA po investon në rajon dhe pret që edhe Tajvani të bëjë të njëjtën gjë, në mënyrë që të përballen së bashku me sfidat e sigurisë. Parlamenti i Tajvanit është aktualisht në debat për një paketë të re shpenzimesh ushtarake që synon forcimin e kapaciteteve mbrojtëse përballë një sulmi të mundshëm nga Kina.
Qeveria ka propozuar një fond prej 1.25 trilionë dollarësh tajvanezë, rreth 39 miliardë dollarë, për blerje të rëndësishme ushtarake, përfshirë armë amerikane. Ndërkohë, opozita e udhëhequr nga Kuomintang ka paraqitur një plan më të kufizuar, me rreth 380 miliardë dollarë tajvanezë, por me mundësi për zgjerim të mëtejshëm.
Brenda vetë opozitës ka përçarje, pasi disa ligjvënës kërkojnë rritje më të madhe të buxhetit, duke reflektuar presionin në rritje nga Uashingtoni.
Çështja e mbrojtjes mbetet një nga debatet më të ndjeshme në Tajvan, ndërsa ishulli përballet me kërcënime të vazhdueshme nga Kina, e cila e konsideron atë pjesë të territorit të saj dhe nuk përjashton përdorimin e forcës për ta marrë nën kontroll.
Top Channel