Lëvizte i armatosur me pistoletë pa leje, arrestohet 28-vjeçari në Durrës, rezulton i dënuar për vrasje

30/03/2026 09:02

Një 28-vjeçar i identifikuar si Endrin Varaku është arrestuar në Durrës pasi qarkullonte me armë zjarri pistoletë.

I riu rezulton i dënuar më parë për vrasje dhe armëmbajtje pa leje. Edrin Varaku ka vrarë kur ishte 16-vjeç, nxënësin Adriatik Tota 17 vjeç. Të dy atëherë ishin nxënës të shkollës profesionale “Beqir Çela” në Shkozet. Vrasja ndodhi në shkollë pas një konflikti.

“Gjatë operacionit, në lagjen nr. 13, Durrës, u ndalua automjeti me drejtues shtetasin A. L., ku dyshohej se lëvizte si pasagjer një shtetas i armatosur, shtetasi E. V.

Gjatë kontrollit fizik, shtetasit E. V., pasagjer në këtë automjet, iu gjet 1 armë zjarri pistoletë, me municion luftarak, që ai e posedonte pa leje.

Në përfundim të veprimeve procedurale, shtetasi E. V., 28 vjeç, banues në Shijak, u arrestua në flagrancë për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Ndërsa shtetasi A. L., 25 vjeç, banues në Shijak, u procedua në gjendje të lirë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit””, thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.

 

Top Channel