Kryebashkiakët e ekstremit të djathtë në Francë heqin flamujt e BE-së, qeveria: Populizëm

30/03/2026 21:08

Disa kryebashkiakë në Francë, të zgjedhur nga partia e djathtës ekstreme Tubimi Kombëtar, kanë hequr flamujt e Bashkimit Evropian nga bashkitë e tyre, një veprim që ka shkaktuar reagime të forta politike.

Veprimi është përshëndetur nga zyrtarët e kësaj partie, por është kritikuar ashpër nga qeveria franceze, e cila e ka cilësuar si “populizëm” dhe një sinjal se kjo forcë politike nuk ka ndryshuar qëndrimet e saj ndaj Evropës.

Kryebashkiaku i Carcassonne, Christophe Barthes, publikoi një video në rrjetet sociale ku shihet duke hequr flamurin evropian nga godina e bashkisë dhe duke deklaruar: “Jashtë flamujt evropianë nga bashkia! Bëni vend për flamujt francezë”. Në vend të tij, ai la të valëviten vetëm flamujt kombëtarë dhe rajonalë.

Veprime të ngjashme janë ndërmarrë edhe nga drejtues të tjerë lokalë. Kryetari i bashkisë Can-sur-Mer publikoi një foto pa flamurin e BE-së në fasadë, ndërsa në Arne, kryebashkiaku Antoni Garenot-Glinkowski hoqi si flamurin evropian ashtu edhe atë të Ukrainës menjëherë pas marrjes së detyrës më 24 mars.

Ministri për Çështjet Evropiane, Benjamin Haddad, reagoi duke ngritur pikëpyetje mbi qëndrimin e këtyre drejtuesve ndaj përfitimeve nga Bashkimi Evropian. “A do të refuzojnë edhe fondet evropiane që marrin fermerët, bizneset dhe rajonet tona?”, deklaroi ai, duke shtuar se ky veprim “tregon se Tubimi Kombëtar nuk ka ndryshuar”.

Megjithatë, ligjërisht, shfaqja e flamurit të BE-së në bashki nuk është e detyrueshme. Kushtetuta franceze njeh vetëm flamurin kombëtar si simbol zyrtar, ndërsa flamujt evropianë kërkohen të vendosen vetëm më 9 maj, në Ditën e Evropës. Një nismë e vitit 2023 për ta bërë të detyrueshme vendosjen e flamujve francezë dhe evropianë në bashkitë me mbi 1,500 banorë nuk është miratuar ende nga Senati.

Ky zhvillim vjen në një klimë të gjerë tensioni, pasi në janar disa bashki, kryesisht në zonat rurale, ulën flamujt evropianë në shenjë mbështetjeje për fermerët që kundërshtonin marrëveshjen e tregtisë së lirë mes BE-së dhe vendeve të Mercosur.

Top Channel