NASA po vazhdon planet për nisjen e misionit Artemis II më 1 prill, duke rikthyer astronautët në hapësirën përreth Hënës për herë të parë pas më shumë se pesë dekadash.

Agjencia hapësinore amerikane konfirmoi se nisja bëhet në orën 18:24 UTC dhe do të zgjasë dy orë, me data alternative deri më 6 prill në rast vonesash.

Misioni, i pari me ekuipazh i programit Artemis, do të përfshijë astronautët e NASA-s Reed Wiseman, Victor Glover dhe Christina Koch, si dhe astronautin kanadez Jeremy Hansen. Ata do të fluturojnë rreth Hënës me anijen kozmike Orion për 10 ditë, pa hyrë në orbitën hënore, duke u përgatitur për uljen e ardhshme të Artemis 4.

Zëvendësadministratorja e NASA-s, Lori Glaze, tha se të gjitha sistemet dhe ekuipazhi janë të gatshëm, ndërsa problemi kryesor mbetet moti, me një shans prej 20% për tejkalimin e kufijve të nisjes për shkak të reve të ulëta.

Nëse Artemis II realizohet me sukses, do të hapë rrugën për Artemis 3 dhe më pas për Artemis 4, duke rikthyer njerëzit në sipërfaqen e Hënës për herë të parë që nga epoka e programit Apollo.

“Jemi shumë, shumë afër dhe jemi gati”, përfundoi Lori Glaze, duke shprehur optimizmin për nisjen historike.

Top Channel