Izraeli miraton ligjin për dënimin me vdekje, do të zbatohet për palestinezët e dënuar për vrasjen e shtetasve izraelitë

30/03/2026 21:16

Parlamenti i Izraelit miratoi ditën e sotme një ligj të diskutueshëm që e bën dënimin me vdekje normë për palestinezët e dënuar nga gjykatat ushtarake për sulme vrasëse, duke përmbushur një premtim të aleatëve të ekstremit të djathtë të kryeministrit Benjamin Netanyahu.

Ligji përcakton se “kushdo që me dashje ose nga pakujdesia shkakton vdekjen e një qytetari izraelit për arsye racizmi ose armiqësie ndaj një komuniteti, dhe me qëllim dëmtimin e Izraelit dhe rilindjes së popullit hebre në tokën e tij, do të përballet me dënimin me vdekje.” Në praktikë, kjo dispozitë do të zbatohet kryesisht për palestinezët e dënuar për sulme kundër Izraelit.

Projektligji u miratua me 62 vota pro dhe 48 kundër. Kryeministri Netanyahu dhe ministri i tij, Itamar Ben-Gvir, votuan pro, dhe ky i fundit u pa duke festuar me shampanjë.

Ligji ka shkaktuar reagime të ashpra ndërkombëtare. Ministrat e jashtëm të Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Britanisë e kanë kritikuar, duke theksuar se ai krijon diskriminim ‘de facto’ ndaj palestinezëve dhe dëmton angazhimet e Izraelit ndaj parimeve demokratike.

Pas miratimit, një OJQ izraelite për të drejtat e njeriut njoftoi apelimin në Gjykatën Supreme të Izraelit, duke sfiduar vlefshmërinë e ligjit. Shoqata për të Drejtat Civile në Izrael (ACRI) e quajti ligjin “kushtetues, de facto diskriminues dhe, për palestinezët në Bregun Perëndimor, të miratuar pa bazë ligjore.”

Top Channel