SHBA rihap ambasadën amerikane në Venezuelë pas 7 vitesh, Departamenti i Shtetit: Një kapitull i ri
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka paralajmëruar për veprime të mundshme të mëtejshme kundër një ishulli strategjik pranë brigjeve të Iranit, ku ndodhet një terminal i madh nafte që konsiderohet jetik për ekonominë e vendit.
Në një intervistë për Financial Times, Trump deklaroi se po shqyrton mundësinë e marrjes së Ishullit Kharg, duke theksuar se një operacion i tillë do të kërkonte edhe një prani të zgjatur ushtarake.
“Ndoshta e marrim ishullin Kharg, ndoshta jo. Kemi shumë mundësi”, u shpreh ai, duke shtuar se ishulli mund të merrej “shumë lehtë”.
Spekulimet për një ndërhyrje të mundshme tokësore të SHBA janë shtuar ditët e fundit. Sipas raportimeve Pentagoni ka përgatitur plane të detajuara për vendosjen e forcave në rajon.
Ndërkohë, Komanda Qendrore e SHBA-së njoftoi se rreth 3,500 marinarë dhe marinsa janë dislokuar në Lindjen e Mesme si pjesë e një grupi të udhëhequr nga anija luftarake USS Tripoli.
Megjithatë, si Pentagoni ashtu edhe Shtëpia e Bardhë kanë refuzuar të komentojnë mbi planet konkrete, duke theksuar se të gjitha opsionet mbeten të hapura.
Ekspertët paralajmërojnë se një operacion për pushtimin e ishullit do të ishte kompleks dhe i rrezikshëm. Një forcë amerikane do të duhej të ndërmerrte një operacion të madh zbarkimi, qoftë detar apo ajror.
Autoritetet iraniane kanë reaguar ashpër. Kryetari i parlamentit, Mohammad Bagher Ghalibaf, deklaroi se forcat iraniane janë gati të përballen me çdo ndërhyrje dhe do të godasin trupat amerikane nëse hyjnë në territorin e vendit.
Sipas burimeve mediatike, Irani ka përforcuar mbrojtjen në Ishullin Kharg, duke vendosur sisteme shtesë kundërajrore, mina dhe personel ushtarak.
Pse është strategjik Ishulli Kharg?
Ishulli Kharg ndodhet rreth 24 kilometra nga bregdeti iranian dhe përbën nyjen kryesore të eksportit të naftës së vendit. Rreth 90% e naftës bruto të Iranit kalon përmes terminaleve të tij.
Nga aty, nafta transportohet me cisterna përmes Gjirit Persik dhe Ngushticës së Hormuzit drejt tregjeve ndërkombëtare, kryesisht Kinës.
Kontrolli i ishullit do të ndikonte drejtpërdrejt në të ardhurat e Iranit dhe në operacionet e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC).
Më 13 mars, SHBA-të kryen një seri sulmesh ajrore ndaj objektivave ushtarake në ishull. Trump deklaroi se ishin shkatërruar plotësisht objektivat ushtarake, por u shmang goditja e infrastrukturës së naftës.
Sipas raportimeve, u goditën mbi 90 objektiva, përfshirë depo armësh, bunkerë dhe baza ushtarake.
Nga ana tjetër, mediat iraniane raportuan se objektet e naftës nuk pësuan dëme dhe eksportet vazhdojnë normalisht.
Pse nuk u godit infrastruktura e naftës?
Ekspertët vlerësojnë se shkatërrimi i infrastrukturës së naftës do të përbënte një përshkallëzim të madh të konfliktit, me pasoja globale.
Një veprim i tillë mund të rriste ndjeshëm çmimet e naftës dhe të nxiste Iranin të kundërpërgjigjej duke goditur infrastrukturë energjetike në rajon ose objektiva detare.
Gjithashtu, Irani ruan kapacitete për sulme me dronë dhe raketa ndaj vendeve të Gjirit dhe rrugëve detare strategjike.
Top Channel