Buldozeri përplas turmën me njerëz në tregun e hapur në Pekin, të paktën 13 të vdekur dhe shumë të plagosur

30/03/2026 22:12

Një incident i rëndë ndodhi në një treg të mbushur me njerëz në Pekin, kur një shofer buldozeri dyshohet se përplasi një turmë njerëzish në tregun e hapur Dahanji, në lagjen Fangshan.

Edhe pse autoritetet kineze nuk kanë njoftuar një numër zyrtar viktimash, gazeta Sun raporton të paktën 13 të vdekur dhe shumë të plagosur.

Sipas dëshmive dhe videove të qarkulluara në mediat sociale, një burrë që drejtonte një makinë të rëndë ndërtimi hyri me forcë në një treg të mbushur me njerëz, duke terhequr zvarrë qytetarët dhe duke shkaktuar kaos. Incidenti ndodhi rreth orës 11:00 të mëngjesit (ora lokale), sipas mediave kineze.

Dëshmitarët thanë se automjeti dyshohet se kaloi një pikë kontrolli përpara se të hynte në treg, i cili ishte i mbushur me blerës dhe shitës. Videot e postuara në internet tregonin njerëz të shtrirë përtokë midis tezgave dhe mallrave të dëmtuara.

Numri i të vdekurve mbetet i paqartë, me disa raportime të pakonfirmuara që sugjerojnë shumë të vdekur dhe të plagosur. Shoferi, që besohet të jetë një burrë rreth të 50-ave, u arrestua nga policia pas incidentit.

Nuk ka pasur asnjë deklaratë zyrtare nga autoritetet kineze mbi numrin e saktë të viktimave apo motivin e sulmit, dhe raportohet se informacionet përkatëse janë hequr nga platformat kineze të mediave sociale, duke e bërë të vështirë konfirmimin e shifrave.

Tregu Dahanji është një vend i njohur për blerje për banorët vendas, që do të thotë se në kohën e incidentit kishte një turmë të madhe njerëzish. Autoritetet rrethuan zonën dhe policia dhe shërbimet e urgjencës mjekësore nxituan në vendngjarje.

Sipas informacionit të disponueshëm, vlerësimet fillestare që qarkullojnë në mediat sociale sugjeronin se deri në tetë ose më shumë persona kishin vdekur, por kjo nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Top Channel