Afrikanët që jetojnë në shpellë, ndalohen në malin e Taraboshit në rrugëtimin e rrezikshëm drejt Europës.

30/03/2026 15:27

Si strehim, kanë gjetur një nga shpellat në malin e Taraboshit në Shkodër.

Këta të rinj janë emigrantë nga vende të ndryshme të Afrikës, kanë udhëtuar prej 2 muajsh në këmbë për në Shqipëri dhe si qëllim kanë Francën.

“Jemi nga Sudani, Somalia e Eritrea, nga vende të ndryshme të Afrikës. Kemi prej 2 muajsh që ecim vetëm në këmbë. Nga Sudani shkuam në Libi në këmbë, pastaj në varkë në Greqi, erdhëm në Shqipëri, pastaj në Mal të Zi. Dje na kap policia atje dhe na sollën sërish në Shqipëri. Nuk kishim zgjidhje tjetër dhe zgjodhëm për të fjetur në këtë shpelle prej 2 ditësh. Do të tentojmë sërish të largohemi”, shprehet njëri prej tyre.

Ata tregojnë për rrugëtimin e vështirë dhe të rrezikshëm. Disa prej tyre nuk kanë çfarë të humbasin pasi në vendlindje, në Sudan, nuk kanë më asgjë: “Kemi fjetur këtu prej dy netësh, ishte ftohtë por jemi mësuar. Kemi 2 muaj që flejmë jashtë, nëpër rrugë. Kjo është jeta. Rrezikuam jetën në varkë për të kaluar në Greqi. Ishte shumë e rrezikshme. Në Sudan nuk kam më asgjë sepse familjen ma vranë. Tani ëndërroj vetëm për Francën.”

“Luftë, luftë. Familja është vrarë në Sudan. Atje ka vetëm luftë. Kemi 2 muaj vetëm që ecim dhe duam të shkojmë në Francë.”

Prej vitesh, për shkak të pozicionit gjeografik, emigrantët nga Afrika e konsiderojnë Shqipërinë si urë lidhëse me vendet e Bashkimit Europian.

Top Channel