Ismajli dhe Mehmeti: Përballja me Ukrainën nuk është e thjeshtë, pas asaj që na ndodhi në Poloni…
Shqipëria do të përballet me Ukrainën të martën në orën 20:45 dhe do të transmetohet si gjithmonë në Digitalb, në sfidën e vlefshme në kuadrin e miqësores, e cila do t’i shërbejë trajnerit Sylvinho për t’i dhënë minuta lojtarëve që nuk u aktivizuan në duelin e humbur me Poloninë në Varshavë.
Përpara seancës stërvitore të së dielës, Ardian Ismajli ka folur për kanalin zyrtar të FSHF-s, duke theksuar se ishim të pafat në Varshavë.
“Besoj që kemi merituar shumë më shumë, kemi pasur shumë raste për të shënuar dhe normalisht që jemi shumë të dëshpëruar, sepse duke e parë si shkoi ndeshja, me të vërtetë e kemi merituar kualifikimin për finalen e fazës play-off të Botërorit, por ndonjëherë futbolli është kështu, ta kthen shpinën dhe fati nuk ishte me ne. Shpresojmë për më shumë fat në të ardhmen. Kjo ndeshje na shërben për t’u rritur shumë më shumë si futbollistë dhe si grup për të ardhmen”, tha futbollisti i kombëtares Ardian Ismajli.
Edhe mesfushori Anis Mehmeti shpreh keqardhjen për humbjen ndaj Polonisë, duke nënvizuar faktin se Shqipëria bëri një paraqitje të mirë, ndërkohë që vlerëson maksimalisht miqësoren me Ukrainën.
“Normalisht që jemi të mërzitur, sepse kemi bërë një ndeshje shumë të mirë ndaj Polonisë, kemi krijuar disa raste të pastra për gol. Ndaj Ukrainës, edhe pse është miqësore, çdo ndeshje e Kombëtares është shumë e rëndësishme dhe ne do të japim maksimumin për ta fituar këtë ndeshje. Ukraina është një skuadër shumë e fortë dhe unë zotohem se nëse do më jepet mundësia të luaj, do të jap maksimumin në çdo moment”, tha futbollisti i kombëtares Anis Mehmeti.
Kur na ndajnë më shumë se 48 orë nga kjo përballje, vlen të përmendet se me këtë kundërshtar, kuqezinjtë janë përballur gjithsej në 9 takime, 6 prej të cilave kanë përfunduar në favor të Ukrainës, 1 në favor të Shqipërisë dhe një tjetër e përfunduar në barazim.
Top Channel