Pas kërcënimeve nga Garda Revolucionare Islamike e Iranit, Universiteti Amerikan i Bejrutit pezullon përkohësisht procesin mësimor

29/03/2026 17:13

Universiteti Amerikan i Bejrutit (AUB) ka njoftuar se procesi mësimor do të zhvillohet online për dy ditët e ardhshme, pas kërcënimeve nga Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) për të shënjestruar universitetet amerikane në Lindjen e Mesme.

Rektori i universitetit deklaroi se aktualisht nuk ka prova për kërcënime të drejtpërdrejta ndaj institucionit, kampuseve apo qendrës së tij mjekësore, e cila ndodhet në zemër të Bejrutit.

“Megjithatë, si masë paraprake, do të operojmë tërësisht online të hënën dhe të martën”, theksoi ai.

Kërcënimet vijnë pasi IRGC deklaroi se do të synojë universitetet amerikane në rajon, duke reaguar ndaj raportimeve për shkatërrimin e dy universiteteve në Iran nga sulmet ajrore amerikane dhe izraelite.

Në një deklaratë, Garda Revolucionare kërkoi që qeveria amerikane të dënojë bombardimet deri në mesditën e së hënës, më 30 mars, duke paralajmëruar për pasoja në të kundërt.

Gjithashtu, IRGC u ka bërë thirrje stafit dhe studentëve të universiteteve amerikane në rajon të qëndrojnë të paktën një kilometër larg objekteve të mundshme të shënjestruara.

Universiteti Amerikan i Bejrutit, i themeluar në vitin 1866, konsiderohet një nga institucionet më prestigjioze në rajon dhe ka luajtur një rol të rëndësishëm në formimin e elitës intelektuale të botës arabe.

Top Channel