Nafta rrit çmimin e ujit në Lushnjë, 10 lekë më shumë për çdo bidon, firmat që tregtojnë ujin e pijshëm: U rritën kostot

29/03/2026 12:24

Çmimi i ujit të pijshëm në Lushnjë është rritur me 10 lekë për çdo bidon që mbushet nëpër autobote. Rritja ka ndodhur prej një jave dhe justifikimi i firmave që shesin ujin lidhet me naftën.

Sipas tyre, meqenëse është rritur çmimi i naftës, ata kanë rritur edhe çmimin e ujit. Të detyruar të blejnë ujin për konsum nëpër autobotet që lëvizin në çdo lagje, fshati dhe qyteti, konsumatorët kanë pranuar çmimin. Sipas tyre, rritja është abuzive dhe po rëndon xhepat e çdo familjeje.

Për buxhetin e një pensionisti që përballet edhe me çmimet e larta të ushqimeve apo ilaçeve, ky është një rëndim i drejtpërdrejtë.

Në Lushnjë, përdorimi i autoboteve të ujit mbetet një zgjidhje e detyruar për shumë familje dhe kjo rritje shpesh ndodh pa asnjë njoftim zyrtar apo rregullim tregu. Rritja e çmimit të ujit është bërë njëzëri nga të gjithë operatorët privatë nëpërmjet marrëveshjeve të pronarëve të kompanive Algen dhe Kondi, pa pasur frikën se do të humbasin klientët.

Top Channel