Muzeu i Drishtit drejt degradimit/ Monumenti i harruar në Shkodër, turistët vijnë, por mungon mirëmbajtja

29/03/2026 19:56

Është ndër të paktat kala në Shqipëri në të cilën ende banohet megjithëse kanë mbetur vetëm 6 familje. 

Në Kalanë e Drishtit në Shkodër, pjesë e 100 fshatrave turistik, investimi i vetëm në këtë monument të kategorisë së parë, rezulton ai i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, mbi 1 dekadë më parë. Pavarësisht braktisjes, turistët nuk mungojnë.

“Ne jetojmë në Stamboll dhe kemi ardhur nga Turqia. Fillimisht vizituam Tiranën dhe më pas vendosëm të vijmë në Shkodër. Na e kishin rekomanduar shumë njerëz. Vizituam kalanë Rozafa dhe pastaj erdhëm këtu. Ka disa gjurmë që vijnë nga periudha osmane, por natyrisht ka edhe gjurmë që i përkasin shqiptarëve. E veçantë”, u shpreh turisti.

“Ka arkitekturë osmane, si dhe arkitekturë të shqiptarëve nga periudha e Sulltan Mehmetit si edhe periudha të ndryshme historike e kështu me radhë. Duhet të investoni më shumë në këtë vend pasi është i veçantë. Tentuam të futemi tek muzeu por na këshilluan që është më mirë mos ta vizitoni”, u shpreh një turist tjetër.

I vetmi që pret e përcjell turistët është Arben Buhaj, një ndër pak banorët e mbetur në Drisht.

“Ky është muzeu i Drishtit, i mobiluar dhe i rehabilituar falë një financimi të Bashkimit Europian, vite më parë. Por ajo çfarë ka mbetur sot, janë këto veshje të cilat janë të hedhura në këtë tavolinë dhe pjesa tjetër e kulturës dhe traditës vendase”, u shpreh banori i zonës Arben Buhaj.

Muzeu së bashku me ato pak materiale të etnografisë së zonës ka degraduar nga mungesa e mirëmbajtjes e kujdesit dhe tani nuk ka më arsye për tu vizituar. Ai është pjesë e rrjetit të muzeve të Bashkisë Shkodër, për të cilën kjo e fundit, ka premtuar se shumë shpejt do të ndërhyjë për rivitalizimin e tij dhe kthimin në funksion të turizmit.

Top Channel