Presidenti Donald Trump të premten përsëriti zhgënjimin e tij ndaj aleatëve të NATO-s për refuzimin e tyre për të dërguar trupa ushtarake për të ndihmuar në sigurimin e ngushticës së Hormuzit dhe tha se Uashingtoni mund të mos i ndihmojë ata në të ardhmen nëse i kërkohet një gjë e tillë.
“Ne shpenzojmë qindra miliarda dollarë në vit për NATO-n, qindra miliarda për t’i mbrojtur ata, dhe gjithmonë do të kishim qenë aty për ta, por tani, bazuar në veprimet e tyre, ndoshta nuk kemi pse të jemi, apo jo? Kjo tingëllon si një lajm i fundit, apo jo? A është lajm i fundit? Mendoj se sapo kemi një lajm të fundit. Por kjo është e vërteta, e kam thënë gjithmonë: ‘Pse duhet të jemi aty për ta nëse ata nuk janë aty për ne?’ Ata nuk ishin aty për ne.”
Që nga fillimi i ofensivës SHBA-Izrael kundër Iranit një muaj më parë, Trump ka shprehur vazhdimisht pakënaqësi për mungesën e mbështetjes nga aleatët perëndimorë dhe hezitimin e tyre për të angazhuar forca për të ndihmuar në rihapjen e ngushticës së Hormuzit, një rrugë detare kyçe për eksportet e naftës dhe gazit nga Gjiri, e cila është e rrezikuar nga sulmet iraniane. Qarkullimi në këtë rrugë të ngushtë detare është ngadalësuar pothuajse plotësisht, duke çuar në rritje të çmimeve globale të energjisë. Trump kishte nje mesazh edhe pwr Iranin.
“Po negociojmë tani. Do të ishte shumë mirë nëse arrijmë diçka, por ata duhet ta hapin. Duhet të hapin ngushticën e Trump… dua të them, të Hormuzit. Më falni shumë. Një gabim i tmerrshëm. Mediat do të thonë ‘e tha gabimisht’. Tek unë nuk ka gabime, jo shumë. Po të kishte, do të ishte një histori e madhe.”
Pas batutave, Trump ju kthyer gjuhës së ashpër. “Udhëheqësit e tyre janë të vdekur. Lideri i tyre suprem nuk është më suprem. Ai është i vdekur. Djali i tij është ose i vdekur ose në gjendje shumë të rëndë, sepse askush nuk ka dëgjuar për të. Mendoj se ai thotë ‘më mbani jashtë kësaj’. Ky është i vetmi vend ku askush nuk do të udhëheqë. Nuk ka askënd… Kush do të donte të udhëhiqte Iranin? Ju lutem ngrini dorën. Një audiencë e madhe. Kush do të donte të ishte lider? Heshtje totale, askush nuk do. Për 47 vite, Irani është njohur si ngacmuesi i Lindjes së Mesme. Por nuk është më. Ata janë në arrati.
Dhe një mesazh te fundit për ishullin komunist fqinj.
“Dhe Kuba është e radhës, meqë ra fjala. Por bëni sikur nuk e thashë këtë, ju lutem bëni sikur nuk e thashë. Ju lutem, media, injorojeni këtë deklaratë. Faleminderit shumë. Kuba është e radhës.”
Top Channel