Shtegu ‘Tinka Kurti’ në Prezë/ Artistja nderohet në Ditën e Teatrit, emri i saj pagëzon rrugën drejt kalasë

27/03/2026 15:28

Rruga me kalldrëm që të fut në Kalanë e Prezës nga sot mban emrin e Tinka Kurtit.

Artistja e madhe u nderua me një ceremoni nga Bashkia Vorë si shenjë mirënjohjeje në Ditën Ndërkombëtare të Teatrit. Kalaja e Prezës u zgjodh si pika më e lartë e bashkisë ku ajo jeton aktualisht.

“Jam e nderuar, e respektuar nga të gjithë këta që janë këtu. Faleminderit, jam shumë mirënjohëse”, u shpreh aktorja Tinka Kurti.

Aktorja që lindi në Sarajevë dhe që veten e cilëson aktore të Shkodrës, spikati me talentin e saj që me rolin që iu besua në filmin e parë shqiptar, “Tana” në 1958. Në shtatë dekada karrierë, portretizoi dhjetëra role në skenën e teatrit dhe në kinematografi, për të cilat është nderuar me me titujt Artiste e Merituar dhe Artiste e Popullit.

“Tinka Kurti i përket të gjithëve, jo vetëm Shkodrës. Tinkën e kemi si nënën tonë, e kemi kolege të mrekullueshme, është një nder jo vetëm për Bashkinë e Vorës, por edhe për qytetin e Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë”, u shpreh aktorja Zyliha Miloti.

Marjeta Larja, aktore

“Tinka e ka shijuar maksimalisht respektin nga spektatorët, por edhe ia ka dhënë maksimalisht. Dhe unë them këtu është sekreti i Tinkës në jetëgjatësinë e saj, ajo ka një lidhje shpirtërore me artdashësit, kalaja e Prezës do të jetë një kujtim i jashtëzakonshëm”, tha aktorja Marjeta Larja.

Mes nostalgjisë për kohët e shkuara, mirënjohjes për përkujdesin nga shtëpia e të moshuarve ku po qëndron dhe mallit për miqtë dhe kolegët, artistja 93-vjeçare u shpreh e përmbushur dhe e emocionuar për këtë ditë të veçantë.

“Nuk e kisha përjetuar më parë këtë dhuratë që më keni bërë, është e jashtëzakonshme për jetën time. Do të iki me këtë kujtim edhe në fund të botës”, tha aktorja Tinka Kurti.

Top Channel