Shqipëria dhe Polonia e viteve 60/ Ekspozita e veçantë e fotografes polake Zofia Rydet në Muzeun “Marubi”

27/03/2026 15:29

Në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” u çel ekspozita “Regjistri Sociologjik”, një projekt monumental i fotografes polake Zofia Rydet.

Ekspozita dokumenton jetën, identitetin dhe ndryshimet shoqërore në Shqipëri dhe Poloni gjatë dekadave të fundit të shekullit XX. Të veçanta ishin fotot e realizuara në Shqipërinë e viteve ’60, të publikuara për herë të parë.

Fotografja polake vizitoi Shqipërinë në vitet kur vendi ynë ishte i izoluar falë një leje të veçantë të shtetit shqiptar.

‘‘Nisi nga Dorota Horodyska, Presidentja e Shoqatës Shqipëri – Poloni, ajo është shumë e apasionuar pas kulturës së vendit tuaj. Kishte dëgjuar në radio që Zofia Rydet kishte realizuar një set fotografish në Shqipërinë e viteve ’60. Erdhi në Krakov dhe i shikuam së bashku fotot dhe më tha se së bashku duhet të bëjmë diçka për të dy vendet. Kontaktuam ambasadoren e Shqipërisë në Poloni, i pëlqyen fotot, më dha kontaktin e Lucianit dhe ja ku jemi sot, pas 60 vitesh kthyem Zofia Rydet në Shqipëri”, tha Zofia Augustynska.

‘‘Perceptimi i punës që ka bërë Zofia është i veçantë sepse kur u prezantua në Poloni të gjithë na thanë se fotot janë përditshmëria e Polonisë, kur shkuam në Londër janë realitet britanik dhe tani në Shqipëri, po na thonë se është jeta e shqiptarëve. Pra është diçka shumë universale në këto foto ku gjithsecili gjen veten dhe ky është talenti i vërtetë i Zofias. Ky projekt ishte një ëndërr që tani po realizohet”, tha Clair Grafik.

Ekspozita u realizua falë mbështetjes së Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit.

Top Channel