Reuters: SHBA-të konfirmojnë shkatërrimin e vetëm një të tretës së arsenalit raketor të Teheranit

27/03/2026 15:13

Shtetet e Bashkuara mund të konfirmojnë me siguri shkatërrimin e rreth një të tretës së arsenalit të gjerë raketor të Iranit, ndërsa lufta SHBA-Izrael kundër Teheranit po i afrohet një muaji.

Kjo bëhet e ditur nga pesë burime të njohura me vlerësimet e inteligjencës amerikane, të cituara nga Reuters.

Sipas tyre, statusi i një të tretës tjetër të arsenalit mbetet i paqartë, ndërsa sulmet ka të ngjarë të kenë dëmtuar, shkatërruar ose bllokuar raketa në tunele dhe bunkerë nëntokësorë. Burimet folën në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së çështjes.

Një nga burimet theksoi se një vlerësim i ngjashëm ekziston edhe për flotën e dronëve të Iranit, ku ka një siguri relative se rreth një e treta e tyre është shkatërruar.

Ky vlerësim, i cili nuk është bërë publik më parë, sugjeron se edhe pse një pjesë e konsiderueshme e raketave iraniane janë shkatërruar ose janë bërë të paarritshme, Teherani ende ruan një rezervë të rëndësishme dhe mund të rikuperojë disa nga armët e dëmtuara ose të fshehura pasi të ndërpriten armiqësitë.

Megjithatë, këto vlerësime bien ndesh me deklaratat publike të presidentit amerikan Donald Trump, i cili ka deklaruar se Iranit i kanë mbetur “shumë pak raketa”. Në të njëjtën kohë, ai ka pranuar se edhe një pjesë e vogël e arsenalit përbën rrezik, sidomos për operacionet që lidhen me mbrojtjen e Ngushticës së Hormuzit, një pikë kyçe për ekonominë globale.

Sipas një raporti të mëparshëm të Reuters, Trump po shqyrton mundësinë e përshkallëzimit të konfliktit përmes vendosjes së trupave amerikane në bregdetin iranian përgjatë kësaj ngushtice.

“Problemi me Ngushticën është ky edhe nëse shkatërrojmë 99 përqind të raketave, 1 përqind mbetet i papranueshëm, sepse mund të godasë një anije me vlerë miliarda dollarë”, u shpreh Trump gjatë një takimi të kabinetit të transmetuar në televizion.

Ndërkohë, Pentagoni dhe Shtëpia e Bardhë nuk kanë reaguar menjëherë ndaj kërkesave për koment.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi demokrat Seth Moulton, veteran i Marinës që ka shërbyer katër herë në Irak, kundërshtoi indirekt deklaratat e Trump. Ai theksoi se nëse Irani po vepron në mënyrë strategjike, mund të ketë ruajtur një pjesë të aftësive të tij ushtarake dhe të mos i ketë përdorur ende të gjitha kapacitetet.

“Nëse Irani po vepron strategjikisht, atëherë ai ka ruajtur disa nga aftësitë e tij dhe mund të jetë duke pritur momentin e duhur”, u shpreh ai.

Top Channel