Propozimi i paqes me 15 pika kyçe, Sekretari amerikan i Shtetit: SHBA pret në çdo moment përgjigjen e Iranit për propozimin e paqes

27/03/2026 19:13
Getty Images

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se SHBA është në pritje të një përgjigjeje nga Iran lidhur me një propozim prej 15 pikash për t’i dhënë fund konfliktit, duke theksuar se reagimi mund të vijë “në çdo moment”.

Në një intervistë për CNN, Rubio tha se deri tani nuk ka një përgjigje zyrtare nga pala iraniane, por ka pasur shkëmbime mesazhesh dhe sinjale paraprake për gatishmëri për të diskutuar disa çështje.

“Ende nuk kemi marrë përgjigje. Ka pasur komunikime dhe indikacione nga sistemi iranian për një gatishmëri për të folur për disa tema,” u shpreh ai.

Rubio theksoi se një nga sfidat kryesore mbetet paqartësia mbi përfaqësimin e Iranit në negociata, sidomos pas goditjeve të fundit amerikane dhe izraelite që, sipas tij, kanë prekur strukturat drejtuese të regjimit.

“Me kë do të flasim? Për çfarë dhe kur?”, shtroi ai pyetjet kyçe, duke nënvizuar nevojën për qartësi nga pala iraniane.

Sipas tij, një përgjigje mund të vijë shumë shpejt, madje brenda ditëve të ardhshme. Ai shtoi se serioziteti i Iranit për negociata do të vlerësohet nga gatishmëria për të përcaktuar përfaqësuesit, temat e diskutimit dhe kohën e mundshme të takimit.

Top Channel