“Mungesa e reagimit nuk pranohet”, Shoqata ‘Pro-Eksport Albania’ për sektorin fason: Po përballet me një krizë të paprecedentë që…

27/03/2026 13:06

Shoqata ‘Pro-eksport Albania’ ka ngritur një shqetësim për situatën në sektorin manifakturë të veshjeve dhe këpucëve.

Me anë të një deklarate gjatë mbledhjes së Asamblesë së Jashtëzakonshme, shoqata e ka cilësuar si dramatike situatën në të cilën ndodhet ky sektor që sipas tyre përfaqëson dhjetëra mijëra vende pune në vend.

Sipas Shoqatës, çdo dobësim i tij nuk është vetëm problem biznesi, është problem social dhe ekonomik.

Ata shprehin edhe shqetësimin se sektori po përballet me një krizë të paprecedentë në këto 30 vite, e shkaktuar nga efektet e kursit të këmbimit, pa asnjë mbështetje konkrete nga ana e qeverisë.

“Sot nuk jemi këtu për të përsëritur problemet, ato tashmë janë të njohura. Sot jemi këtu për të përcaktuar një qëndrim. Ky sektor përfaqëson dhjetëra mijëra vende pune në vend.

Çdo dobësim i tij nuk është vetëm problem biznesi, është problem social dhe ekonomik.

Sektori po përballet me një krizë të paprecedentë në këto 30 vite, e shkaktuar nga efektet e kursit të këmbimit, pa asnjë mbështetje konkrete nga ana e qeverisë.

Edhe pas paraqitjes së kësaj situate në Komisionin e Ekonomisë, reagimi mungon.

Prej muajsh, sektori ka folur. Sot, sektori po pozicionohet.

Kjo asamble shënon një vijë ndarëse.

Nga ky moment, kjo nuk është më një çështje individuale e bizneseve të veçanta.

Është një çështje e përbashkët e gjithë sektorit. Kjo asamble nuk është vetëm për të diskutuar, por për të informuar mbi hapat konkrete të ndërmarra në këtë situatë të jashtëzakonshme dhe për të unifikuar qëndrimin e sektorit në vijim.

Dhe si e tillë, përgjigjja do të jetë e koordinuar.

Ne kemi qenë të qartë në kërkesat tona. Ne kemi qenë të hapur për dialog. Por sot po themi qartë: mungesa e reagimit nuk mund të jetë më një opsion i pranueshëm.

Ky nuk është më një apel. Ky është një pozicion.

Nga kjo asamble do të dalë një drejtim i qartë për hapat në vijim dhe përgatitje për veprime konkrete në mbrojtje të sektorit.  Ne nuk kërkojmë përplasje. Por nuk do të pranojmë më as heshtje.

Nëse nuk ka reagim, do të ketë reagim nga sektori.

Ky është mesazhi i kësaj asambleje. Dhe ky mesazh do të pasohet me veprim”, reagimi i plot.

Top Channel