Ishin duke transportuar ndihma humanitare nga Meksika drejt Kubës/ Zhduken dy anije në Karaibe, dyshohet se…

27/03/2026 07:37

Një operacion kërkim-shpëtimi është duke u zhvilluar në rajonin e Karaibeve për dy anije me vela të zhdukura, të cilat transportonin ndihma humanitare nga Meksika drejt Kuba.

Autoritetet meksikane kanë angazhuar njësi detare dhe avionë ushtarakë për të gjetur anijet “Friendship” dhe “Tigger Moth”, në bord të të cilave ndodheshin të paktën nëntë anëtarë ekuipazhi, njoftoi marina në një deklaratë zyrtare.

Sipas autoriteteve, anijet pritej të mbërrinin në Havana të martën ose të mërkurën, por që prej asaj kohe nuk ka pasur asnjë komunikim apo konfirmim për mbërritjen e tyre.

Marina meksikane theksoi se është e përkushtuar të përdorë të gjitha burimet në dispozicion për gjetjen e anijeve dhe garantimin e sigurisë së ekuipazheve.

Dy mjetet lundruese u nisën më 20 mars nga Isla Mujeres, në shtetin meksikan të Quintana Roo.

Anëtarët e ekuipazhit janë shtetas nga Polonia, Franca, Kuba dhe Shtetet e Bashkuara. Autoritetet meksikane kanë vendosur kontakte me qendrat ndërkombëtare të koordinimit të shpëtimit detar dhe me përfaqësitë diplomatike të vendeve përkatëse.

Sipas autoriteteve, kapitenët dhe ekuipazhet janë marinarë me përvojë dhe se të dy anijet janë të pajisura me sisteme sigurie dhe pajisje sinjalizimi.

Deri më tani, qeveria kubaneze nuk ka reaguar lidhur me zhdukjen e anijeve.

Ndërkohë, gjatë kësaj jave, autoritetet kubaneze pritën një tjetër anije humanitare, “Granma 2.0”, e cila transportoi rreth 14 ton ndihma, përfshirë panele diellore, ilaçe, ushqime dhe furnizime për foshnje.

Përpjekjet për të ndihmuar Kubën janë intensifikuar muajt e fundit, kryesisht nga organizata joqeveritare dhe vullnetarë, në kushtet e vështirësive ekonomike dhe mungesave të theksuara të furnizimeve në vend.

Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar për mungesa serioze, ndërsa mijëra ndërhyrje mjekësore janë shtyrë për shkak të problemeve me furnizimin me energji elektrike.

Top Channel