Për herë të parë për një president në detyrë, firma e Trump pritet të shfaqet në kartëmonedhat amerikane
Hamasit do t’i kërkohet të lejojë shkatërrimin e rrjetit të tij të gjerë të tuneleve në Gaza dhe të dorëzojë armët në faza gjatë një periudhe tetëmujore, sipas një plani çarmatimi të paraqitur nga “Këshilli i Paqes” i Presidentit amerikan, Donald Trump.
Plani parashikon një afat kohor që nis me marrjen e kontrollit të sigurisë së Gazës nga një komitet teknokratësh palestinezë të mbështetur nga SHBA-të dhe përfundon me tërheqjen e plotë të forcave izraelite pasi të konfirmohet se territori është i lirë nga armët.
Çarmatimi i Hamasit mbetet një çështje kyçe në bisedimet për zbatimin e planit të Trump dhe për konsolidimin e armëpushimit të tetorit, që i dha fund dy viteve luftë. Hamasi ka refuzuar prej kohësh kërkesat për dorëzimin e armëve, të cilat besohet se ruhen kryesisht në rrjetin e tuneleve në Gaza. Nga ana tjetër, Izraeli ka deklaruar se nuk do të tërhiqet pa çarmatimin e plotë të grupit.
Një zyrtar palestinez i përfshirë në negociata e cilësoi planin si “të padrejtë”, duke theksuar mungesën e garancive që Izraeli do të përmbushë detyrimet e tij. Sipas tij, lidhja e rindërtimit me çështje politike si çarmatimi rrezikon rifillimin e konfliktit.
Reuters ka siguruar tekstin e plotë të planit nga dy zyrtarë palestinezë, ndërsa një përfaqësues i Hamasit ka konfirmuar autenticitetin e tij. Dokumenti, i raportuar fillimisht nga Al Jazeera, përbëhet nga 12 pika dhe një kalendar pesëfazësh për dorëzimin e armëve.
Plani parashikon që të gjitha fraksionet e armatosura në Gaza, përfshirë Xhihadi Islamik, të përfshihen në një proces çarmatimi të mbikëqyrur nga Komiteti Kombëtar për Administrimin e Gazës (NCAG). Sipas dokumentit, Gaza do të qeveriset mbi parimin “një autoritet, një sistem ligjor, një ushtri”, ku vetëm autoritetet e NCAG do të kenë të drejtë të mbajnë armë.
Procesi do të verifikohet nga një komision i posaçëm që pritet të krijohet nga Nickolay Mladenov, i dërguari kryesor i Këshillit të Paqes.
Ndërkohë, rindërtimi do të lejohet vetëm në zonat që shpallen të demilitarizuara.
Sipas planit, në fazën e parë (15 ditë), NCAG do të marrë kontrollin e sigurisë dhe administrimit të Gazës. Në fazën e dytë (ditët 16-40), Izraeli do të largojë armët e rënda nga zonat nën kontrollin e tij dhe do të vendoset një forcë ndërkombëtare sigurie.
Faza e tretë (ditët 31-90) konsiderohet më intensive, ku Hamasi do të dorëzojë të gjitha armët e rënda dhe do të lejojë shkatërrimin e tuneleve dhe infrastrukturës ushtarake.
Në fazën e katërt (ditët 91-250), do të mblidhen dhe regjistrohen armët e mbetura, ndërsa forcat izraelite do të fillojnë tërheqjen graduale. Faza e pestë përfshin verifikimin përfundimtar të çarmatimit dhe tërheqjen pothuajse të plotë të Izraelit, duke lënë vetëm një perimetër sigurie, ndërsa nis rindërtimi gjithëpërfshirës.
Plani nuk përmend krijimin e një shteti palestinez apo pavarësinë, ndërsa disa fraksione palestineze kanë kritikuar dokumentin, duke argumentuar se ai i jep përparësi çarmatimit ndaj rindërtimit dhe tërheqjes së trupave izraelite.
Top Channel