Vrau bashkëshorten dhe më pas veten, varroset në heshtje 80-vjeçari/ Askush nga 9 fëmijët nuk pranoi as të tërheqë trupin nga morgu

26/03/2026 13:40

Është varrosur në heshtje dhe i braktisur nga familjarët, 80-vjeçari Shefit Rrapaj nga fshati Kuman i Roskovecit, i cili dy ditë më parë vrau me armë zjarri bashkëshorten e tij, Dashuri Rrapaj, dhe më pas i dha fund jetës.

Ceremonia mortore e tij është zhvilluar pasditen e djeshme në varrezat e fshatit, ku sipas banorëve, në varrim kanë marrë pjesë vetëm disa punonjës të shërbimeve funerale dhe të bashkisë, ndërsa asnjë nga 9 fëmijët apo të afërmit nuk ishte i pranishëm.

Na thanë që e varrosën. Pashë makinën funerale dhe shkova. Ishin vetëm 3-4 veta dhe e çuan në fund fare. Nuk e prisnim kurrë. Ishin njerëz shumë të mirë, u habitëm të gjithë kur e dëgjuam”.

Banorët tregojnë se ngjarja ka tronditur të gjithë komunitetin, ndërsa kujtojnë se ditët e fundit në zonë kishte prani të shtuar të policisë.

“Para disa ditësh kishte polici këtu, rrinte furgoni. Por kujt ia merrte mendja që do ndodhte kjo. Menduam mos kishte ndodhur ndonjë aksident”.

Sipas drejtorit të ndërmarrjes publike i Bashkisë së Roskovecit, Arben Duka, policia ka negociuar për një kohë të gjate me familjarët për tërheqjen e trupit të Shefitit nga morgu, por që ka rezultuar pa sukses, të ndodhur në këto kushte funeralin e ka kryer Bashkia me punonjësit e saj.

Vëllai i së ndjerës, në një prononcim për TCH, është shprehur se familja do të kryejë vetëm ceremoninë mortore për Dashuri Rrapajn, duke e konsideruar autorin si një person të dhunshëm dhe problematik.

Sipas tij, disa vite më parë, 80-vjeçari kishte tentuar edhe vetëvrasjen, ndërsa konflikti që çoi në tragjedi dyshohet të ketë nisur disa ditë më parë për motive banale, pas një përplasjeje me djalin e kthyer nga emigracioni, ku viktima i kishte dalë në mbrojtje të birit.

Top Channel