“Një tjetër çështje me antikorrupsionin e cila është tipike do të thoja për vendet kandidate, është se mund të kesh legjislacionin më të mirë për të luftuar korrupsionin, por nëse korrupsioni pranohet në atë vend, atëherë këtu ka një problem tjetër. Kështu që të gjitha këto vende po kalojnë nëpër procesin e ndryshimit të mendësisë në raport me korrupsionin dhe kjo kërkon kohë”.
Kjo deklaratë e Komisioneres Europiane të Zgjerimit, Marta Kos, bërë dy ditë më parë në një forum, ngjalli polemika në Tiranë.
Selia blu preferoi të mos lexonte mes rreshtave të zyrtares së lartë europiane, e cila në rastin e Shqipërisë vlerësoi si të shkëlqyer punën e SPAK-ut, por e ktheu në emërues të përbashkët të vendeve kandidate problemin e korrupsionit si fenomen të lidhur me shoqërinë.
Komenti i saj nxiti reagimin e menjëhershëm të kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i cili kërkoi distancimin e institucioneve europiane nga “përgjithësime të papërshtatshme për shqiptarët”, si edhe të vetë Sali Berishës që shkoi edhe më tej, duke e akuzuar Kos se po sillet si ortake e një të korruptuari si kryeministri Edi Rama.
Komisionerja sot ka reaguar përmes një postimi në Facebook, ku i tregon qartë se nuk tërhiqet nga deklarata e bërë, teksa sqaron edhe një herë pohimin e bërë.
“Le të jemi shumë të qartë për atë që po ndodh. Këtë javë fola në Samitin ‘Competitive Europe’ të Politico. Shpjegova që ne kemi nevojë për debat të vazhdueshëm mbi procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Ndërkohë që kjo ndodh, ne duhet të jemi 100% të angazhuar ndaj mbështetjes së vendeve kandidate me reformat e nevojshme. Në të gjitha vendet kandidate, ndërtimi i institucioneve të forta demokratike është njëra anë dhe ana tjetër është ndryshimi i mentalitetit të shoqërive që edhe ato ta luftojnë korrupsionin. Procesi mbetet i bazuar në meritë. Ndërsa çdo kandidat ka rrethana specifike, baza për anëtarësimin në BE mbetet e njëjtë për të gjithë. Të hysh në BE nuk është thjesht për të plotësuar kriteret në letër, por edhe për të bërë ndryshimin realitet”, shkruan Kos.
Top Channel