Pas datës 20 në spitale nuk bëhen më analiza, Shehaj i drejtohet ministres së Shëndetësisë: Çmenduri, çfarë do t’i thoni pacientëve 

26/03/2026 13:51

Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka reaguar ndaj deklaratës së bërë nga ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, e cila ka pranuar se në QSUT pas datës 20 të çdo muaji nuk kryhen analizat për pacientët për shkak të mungesës së fondeve.

Në një video në rrjetet sociale, Shehaj e quan tallje deklaratën e ministers Sala, e cila tha se kjo situatë do të vazhdojë për të paktën edhe 9 muaj të tjerë, pasi po punohet për të gjetur një zgjidhje Brenda vitit 2026.

“Çfarë i thoni ju pacientëve kur vijnë në datën 21? I thoni më vjen keq, në këtë spital ta dish, ne mund të të shtrojmë por ne këtu nuk bëjmë analiza deri në datën 1? Ko është çmenduri!

Kjo është gjendja e spitaleve shtetërore në Shqipëri dhe pastaj tallet duke u thënë po ne jemi të vetëdijshëm, e dimë që nuk është e pranueshme por brenda vitit do ta zgjidhim. Prisni dhe 9 muaj”, shprehet Shehaj.

Reagimi i plotë i Agron Shehajt:

E dinit që në spitalet shtetërore pas datës 20 të çdo muaji nuk bëjnë më analiza? Mund të duket e pabesueshme por këtë e thotë vetë ministrja e Shëndetësisë. Dëgjojeni: E pabesueshme, ministrja pranon që pas datës 20 të çdo muaji në spitale nuk mund të bëhen analiza. Por çfarë spitali është ky? Një spital ku nuk bëhen analiza pas datës 20, si kurohen njerëzit pa bërë analizat zonja ministre?

Është çmenduri! Çfarë i thoni ju pacientëve kur vijnë në datën 21? I thoni më vjen keq, në këtë spital ta dish, ne mund të të shtrojmë por ne këtu nuk bëjmë analiza deri në datën 1? Ko është çmenduri!

Kjo është gjendja e spitaleve shtetërore në Shqipëri dhe pastaj tallet duke u thënë po ne jemi të vetëdijshëm, e dimë që nuk është e pranueshme por brenda vitit do ta zgjidhim Prisni dhe 9 muaj

Në këto 9 muaj mund të vini deri në datën 20, pas datës 20 mos hajdeni kot në spital sepse ne nuk bëjmë analiza, por nga data 1 Janar do ta zgjidhim dhe mund të vini në spital kur të doni.
Kjo është e pabesueshme. Zonja ministre mjaft u tallët me qytetarët. Duhen para për analizat zonja ministre. Është shumë e thjeshtë, anuloni PPP-të korruptive që SPAK-u po heton për korrupsion, anuloni ato dhe me ato para mund të bëni analiza nga data 1 deri në datën 31 të çdo muaji. Kjo është zgjidhja

Top Channel