“Hallka e fshehtë”? Kush është njeriu me të cilin SHBA synon komunikimin në Iran
Greqia rrit pagën minimale e cila nga 1 Prilli shkon në 920 euro bruto sipas njoftimit të kryeministrit Kyriakos Mitsotakis në mbledhjen e Këshillit të Ministrave.
Bëhet fjalë për rritjen e gjashtë radhazi që nga viti 2019, ndërsa vetëm nga viti i kaluar paga bazë shtohet me 40 euro në muaj, ose rreth 4,5 për qind.
Kjo rritje nuk prek vetëm punonjësit që paguhen me minimumin, por “tërheq” automatikisht lart edhe një sërë pagesash dhe përfitimesh të lidhura me të. Ndryshojnë, ndër të tjera, shtesat për vjetërsinë në punë, të ashtuquajturat “periudha trevjeçare”, raporton korrespondenti i Top Channel në Greqi, Aleksandër Marku.
Rritje do të ketë edhe për një numër të madh përfitimesh sociale. Shtesa për personat e martuar, që përllogaritet në 10 për qind të pagës minimale, rritet përkatësisht, ndërsa edhe asistenca sociale për të papunët ngjitet në 564 euro nga 540 që ishte më parë. Po ashtu ndikohen pagesat për lejen e lindjes, lejen prindërore, programet e punësimit, praktikave profesionale dhe një sërë ndihmash sezonale.
Paralelisht, qeveria parashikon edhe një rritje horizontale prej 40 eurosh për të gjithë nëpunësit e sektorit publik.
Sipas autoriteteve, që nga viti 2019 paga minimale është rritur nga 650 në 920 euro, një rritje kumulative që tejkalon 40 për qind, ndërsa qeveria thekson se synimi është mbështetja e të ardhurave përballë kostos së lartë të jetesës.
Nga ana e tyre partitë opozitare dhe sindikatat e konsiderojnë këtë shifër si thërrime përballë rritjes kolosale të çmimeve. Hollësi për kategori të ndryshme punonjësish jepen pas orës 15.30 ora lokale në një konferencë shytpi nga ministrat përkatës.
Top Channel