Në Gjirokastër, në ambientet e Muzeu i Luftës së Ftohtë, është çelur një ekspozitë e veçantë që sjell në vëmendje librat e ndaluar gjatë periudhës së komunizmit.
Në mjediset e ish-vendstrehimit prej betoni janë ekspozuar libra, autorë dhe botime të cilat, gjatë viteve të diktaturës komuniste, ishin të ndaluara për publikun e gjerë dhe konsideroheshin të papërshtatshme nga regjimi i kohës.
Ekspozita ka tërhequr vëmendjen e lexuesve dhe turistëve vendas e të huaj, duke nxitur interes për historinë e censurës dhe kufizimit të fjalës së lirë në Shqipëri. Vizitorët kanë mundësinë të njihen nga afër me tituj dhe autorë që për dekada kanë qenë të ndaluar dhe të panjohur për publikun.
Muzeu i Luftës së Ftohtë është kthyer tashmë në një nga pikat më të vizituara nga turistët që mbërrijnë në qytetin e gurtë. I vendosur në një ish-vendstrehim ushtarak të ndërtuar gjatë viteve 1960–1970, muzeu ofron ambiente, objekte dhe relike që dëshmojnë për periudhën e Luftës së Ftohtë dhe jetën nën regjimin komunist.
Ekspozita e librave të ndaluar i shton edhe më shumë vlerë këtij destinacioni, duke e kthyer atë në një hapësirë ku historia, kujtesa dhe kultura ndërthuren për të sjellë një përvojë të veçantë për çdo vizitor.
Top Channel