Irani sulmon me dronë aeroportin e Kuvajtit, autoritetet: Zjarri përfshiu një rezervuar karburanti

25/03/2026 17:05

Re të mëdha tymi janë ngritur në aeroportin e Kuvajtit pas sulmit me dron iranian.

Sipas zyrtarëve, disa dronë janë rrëzuar nga mbrojtja ajrore, por një prej tyre ka goditur një rezervuar karburanti, duke shkaktuar zjarr.

Autoritetet konfirmojnë se ekipet zjarrfikëse po vazhdojnë operacionet për shuarjen e flakëve, ndërsa në terren janë angazhuar edhe forcat e ushtrisë, Gardës Kombëtare dhe sektorit të naftës.

Zëdhënësi i Forcës së Përgjithshme të Zjarrfikësve, gjenerali i brigadës Mohammed Al-Ghareeb, deklaroi se aktualisht po punohet për neutralizimin e zjarrit të shkaktuar nga dronë “armiqësorë”.

“Me mbështetjen e Zjarrfikësve të Ushtrisë, Gardës Kombëtare dhe Naftës, po përballemi me një zjarr në një rezervuar karburanti në Aeroportin e Kuvajtit, i cili është shënjestruar nga dronë armiqësorë”, tha ai në një deklaratë për mediat.

Gjatë një konference për shtyp, Al-Ghareeb bëri të ditur se janë trajtuar gjithsej katër vatra zjarri në zona të ndryshme, të shkaktuara nga rënia e shrapnelave.

Ai shtoi gjithashtu se që nga fillimi i asaj që e cilësoi si “agresion iranian”, janë regjistruar 82 incidente të ngjashme në vend.

Operacionet për shuarjen e zjarrit vijojnë, ndërsa autoritetet po monitorojnë situatën për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të flakëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB