Fiks Fare/ “E rrahu në mes të rrugës”, i mituri me autizëm dhunohet nga nëna, fqinjët denoncojnë, institucionet heshtin

25/03/2026 20:40

Një ngjarje tronditëse është denoncuar në lagjen “Ali Demi”, ku një fëmijë i diagnostikuar me çrregullime të spektrit autik dyshohet se është dhunuar vazhdimisht nga nëna e tij.

Pamjet e siguruara nga emisioni Fiks Fare tregojnë momente të rënda, ku fëmija përpiqet të mbrohet, ndërsa nëna e godet dhe e shtrin përtokë në mes të rrugës.

Sipas banorëve të zonës, rasti është denoncuar disa herë pranë institucioneve përkatëse, por pa asnjë reagim konkret. Ata shprehen se janë përballur me burokraci të tepërt dhe mungesë vullneti për të ndërhyrë në një situatë që, sipas tyre, rrezikon seriozisht jetën e fëmijës.

“Kemi denoncuar disa herë, por na kanë kërkuar dokumente pa fund. Ndërkohë, fëmija vazhdon të dhunohet,” thotë një fqinj.

Në pamje shihet qartë se nëna e godet fëmijën në kokë dhe e shkel, duke e lënë të shtrirë dhe të pafuqishëm. Fëmija, për shkak të gjendjes së tij, nuk është në gjendje të reagojë apo të mbrohet siç duhet.

Gazetarët tentuan të hyjnë në banesë për të verifikuar situatën, por u përballën me refuzimin e nënës, e cila madje shtyu gazetaren. Ndërkohë, pamjet tregojnë fëmijën me shenja gjaku në fytyrë.

Vetë nëna pranon se e ka dhunuar të paktën një herë, duke u justifikuar me vështirësitë që has në kujdesin ndaj tij dhe mungesën e mbështetjes. Ajo shprehet se nuk di si të veprojë dhe se nuk ka ku ta drejtojë fëmijën.

Gjendja brenda banesës është alarmante: mungesë higjiene, rrëmujë dhe kushte minimale jetese. Fëmija qëndron i shtrirë në një cep të dhomës, ndërsa nëna duket e rënduar edhe nga ana psikologjike.

Banorët e zonës theksojnë se, edhe pse fëmija mund të shfaqë herë pas here sjellje agresive, kjo nuk mund të justifikojë dhunën e ushtruar ndaj tij. Ata kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet, për të garantuar sigurinë e fëmijës dhe për të ndalur çdo formë dhune.

Top Channel