Bashkimi Europian kërkon reforma dhe transparencë, theksi te siguria e gazetarëve: Dekriminalizoni shpifjen në media

25/03/2026 15:43

Gazetaria e pavarur, siguria e gazetarëve, shkeljet e lirisë së shtypi dhe transparenca institucionale ishin çështjet që u trajtuan sot në Seancën e Dytë Plenare të Platformës së Dialogut të Hapur në Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Tiranës, në bashkëpunimin me delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë dhe Këshillin e Europës.

Duke shprehur mbështetjen e BE, ambasadori Gonzato e vuri theksin te dekriminalizimi i plotë i shpifjes për gazetarët në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.

“E di që ka pasur sfida, dhe e di që disa nga rekomandimet tuaja nuk janë marrë në konsideratë në fazën fillestare, veçanërisht rekomandimi për të dekriminalizuar plotësisht shpifjen. BE-ja pret që Shqipëria të vazhdojë të miratojë dhe zbatojë reforma në lidhje me lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave. Konsultimi është vërtet një element i panegociueshëm i kësaj’, u shpreh Gonzato.

Në tryezën e diskutimin, Kryetarja e Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik u shpreh se liria e shprehjes mbetet problem kryesor në media.

“Ne i dimë problematikat, por bëjmë shumë pak për t’i zgjidhur ato. Liria e medias mbetet një nga problemet kryesore dhe tashmë është kthyer në një trend, ku pavarësisht se sa ligje ne miratojmë dhe pavarësisht sa të mira janë këto ligje në letër, në fund të ditës, problemet mbeten po atje. Në fakt, një vend është aq i lirë sa është e lirë fjala”, u shpreh kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, Jorida Tabaku.

Nga ana tjetër, Iris Luarasi që u rikthye në fakultet si deputet dhe Zëvendëskryetare e këtij komisioni, e sheh çështjen në një këndvështrim tjetër.

“Mendoj që pyetja e vërtetë duhet të ishte nëse Shqipëria ka një peizazh mediatik të ndershëm dhe nëse rregullat e lojës janë të përshtatshme për shekullin në të cilin jetojmë. Shumë pak flasim për drejtësinë, për transparencën, për ndikimin apo intimidimin apo dhe çmimin e vërtetë të të folurit lirisht”, tha zv/kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik Iris Luarasi.

Kjo platformë ka për qëllim të nxisë një sektor mediatik të qëndrueshëm dhe të pavarur, në përputhje me angazhimet e anëtarësimit të vendit në BE.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB