Miliona euro të tjetërsuara nga grupe mashtrues virtualë, Europol deklaron për Exclusive: Ky fenomen po ndiqet nga…
Qeveria shqiptare shpalli të hënën situatën e veçantë në tregun e hidrokarbureve, pas shtrenjtimit të çmimeve, si pasojë e luftës në Lindjen e Mesme.
Vendimi i firmosur nga kryeministri Edi Rama dhe i botuar në Fletoren Zyrtare, vë në veprim Bordin e Transparencës, që do të ndërhyjë për të përcaktuar çmimin tavan të naftës, e cila aktualisht vijon të tregtohet me 214 lekë për litër në shumicën e pikave të karburanteve në Tiranë.
“Gjatë periudhës së situatës së veçantë ngrihet dhe funksionon Bordi i Transparencës dhe Kufizimit të Përkohshëm të Çmimeve të tregtimit me shumicë/pakicë të nënprodukteve të naftës dhe gazit. Çmimet, që përcaktohen nga Bordi gjatë situatës së veçantë, janë të detyrueshme për të gjitha subjektet që ushtrojnë veprimtari në fushën e tregtimit të nënprodukteve të naftës dhe të gazit në vend, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi”-thuhet në vendim.
Sipas vendimit të qeverisë, kompanitë kanë afat deri më datë 24 mars që të dorëzojnë pranë ministrit përgjegjës për Ekonominë përfaqësuesit e tyre në përbërje të këtij bordi. Lufta e SHBA-së dhe Izraelit me Iranin, që vijon në javën e katërt, solli rritje të çmimit të hidrokarbureve në mbarë botën, për shkak të bllokimit të Ngushticës së Hormuzit nga Teherani, ku kalon pjesa më e madhe e naftës. Rritja e çmimit u reflektua edhe në vendin tonë.
Çmimet e tregtimit me pakicë të karburanteve arritën deri në 219 lekë për litër, në ditët kur edhe në bursë çmimi i naftës bruto, i njohur si Brent, arriti nivele rekord në rreth 120 dollarë për fuçi. Aktualisht, çmimi i naftës së papërpunuar Brent ka shënuar një rënie, duke iu afruar 90 dollarëve për fuçi, pas vendimit të presidentit amerikan, Donald Trump, për të ndalur luftën për pesë ditë, por në vendin tonë prej ditësh vijon të tregtohet me 214 lekë për litër.
Të hënën, në pikat kryesore të karburanteve në kryeqytet nafta u tregtua me 214 lekë për litër. Kryeministri Edi Rama njoftoi uljen e akcizës me 20%, nëse çmimi do të kapërcejë mbi 220 lekë për litër.
Top Channel