PD me molotovë ndaj institucioneve, reagon Balla: I hedhin me flamujt e BE dhe gjermanë në duar
Nga Preç Zogaj*
Siç është paralajmëruar prej javësh nga qindra “kasandra” që nuk kanë nevojë të kenë dhunti të mbinatyrshme, integrimi i Shqipërisë në BE rrezikon të frenojë, për të mos thënë të rikthehet në regjimin e kalendrave ku akrepat flenë.
Kambana e alarmit së fundmi ra dje në Bruksel ku mes shumë amendamenteve për raportin e vitit 2025 për Shqipërinë, tërhoqën vëmendjen ato të Grupit të Partive Popullore Europiane ( PPE), më i madhi në Parlamentin Europian.
Njëzet e gjashtë amendamente e këtij grupi ishin fokusuar te mangësitë sistemike të Shqipërisë në tre blloqe: zgjedhjet, drejtësia dhe qeverisja.
Edhe pse nuk thuhet në mënyrë ekslicite, duke qenë se as Gjermania, as SHBA-të, as vendet e tjera të BE-së nuk flasin publikisht për emra konkretë në proces hetimi, pika e ujit që derdhi gotën ka gjasa të jetë rrëzimi nga shumica socialiste në Kuvend e kërkesës së SPAK për t’i hequr imunitetin deputetes Belinda Balluku.
Ky duket është akti që nxori nga sirtari “djaj” të tjerë që përmenden në amendamente.
E kishin paralajmëruar në vizitat e tyre në Shqipëri Ministri gjerman për Europën, Gunther Krichbaum dhe mandej kryetari i komisionit të jashtëm të Parlamentin Europian, David McAllister, gjithashtu eksponent i Partisë së kancelarit Merz. Shurdhi më i keq është ai që s’don të dëgjojë. “Jo”-ja eventuale gjermane do të ishte një derë betoni e mbyllur për ne.
Natyrisht, amendamentet e grupit të populloreve do të kryqëzohen me amendamentet e grupit socialist dhe grupeve të tjera për të mbërritur në një emërues të përbashkët. Nuk përjashtohet të ketë zbutje në ndonjë pikë, por në tërësi qëndrimi grupit më të madh do të mbetet.
Vazhdimi i procesit të integrimit për ne mund të rikthehet në spiralen e detyrave të reja të shtëpisë që nuk mbarojnë kurrë edhe kur përmbushen në letër, ndërsa shqyhen në zbatim. Në fakt ligjet janë zbatimi. Shqipëria mund të shkëlqejë pambarim duke hapur e mbyllur kapituj të integrimit, por zbatimi është çelësi që na hap dyert e BE-së.
Sidoqoftë, përtej një praktike parlamentare rutinë në pamje të parë, amendamentet e grupit të PPE-së në momentin e dhënë tingëllojnë si njoftim dhe testim, prapa të cilëve qëndron qeveria gjemane e kancelarit Metz dhe qeveri te tjera aleate.
Zgjerimi për arsye gjeopolitike, aq shumë i përmendur pas agresionit rus ndaj Ukrahinës nuk kreditohet më në masën që BE-ja të mbyllë një sy e një vesh për standardet. Ky është njoftimi.
Testimi ka të bëjë me gadishmërinë e Shqipërisë për t’ju përkushtuar zbatimit të standardeve të BE-së dhe konsiderimit të anëtarësimit në BE një prioritet jo thjesht deklarativ, propagandistik, apo për konsum të brendshëm, por si sprovë e udhëtimit përkrah BE-së në sfidat e reja më të cilat po përballet bota e sotme.
Në kushtet e një shumësie konfliktesh asimetrike që kanë shpërthyer pas bombardimeve të urdhëruara nga Presidenti Tramp dhe kryeministri i Izraelit, Natanjahu kundër Iranit dhe bombardimit të vendeve të Gjirit Persik nga Irani, politika jonë e jashtme po lundron nëpër baste dhe improvizime pa pika takimi me vendet e BE-së, Mbretërinë e Bashkuar dhe Turqinë.
Në reagim të deklaratave plot shqetësim të Gjermanisë, Britanisë së Madhe dhe Komisionit Europian për votimin kundër heqjes së imunitetit të Belinda Ballukut, Rama deklaroi sërish se ndërsa ka një plan B për shumë fusha, ka vetëm një plan A për anëtarësimin e vendit në BE. Dukej si një deklaratë besnikërie që nuk ta kërkon njeri. Që le të kuptohet se ka edhe alternativa të tjera por që zoti Rama i injoron. Në fakt nuk ka alternativa të tjera për sa kohë BE të ekzistojë.
Fatmirësisht, shihet se për të mirën e popujve të Europës dhe njerëzimit BE do të forcohet e zgjerohet. Kush mendon se do të prishet dhe do të ketë me këtë rast një justifikim të mirë që nuk u bëmë dot pjesë e tij, – “epo, ne gati ishin për u prish BE-ja!” – e ka shumë gabim.
Koha kalon shpejt. Nëse Shqipëria ngelet në vend këtë vit me detyra shtëpie të stërpërsëritura ku spikat lufta kundër korrupsionit, atëherë kali i betejës me të cilin Rama dhe PS kanë fituar zgjedhjet do të shembej si prej balte. Për rrjedhim Plani A për integrimin do të mbetej aktiv dhe efektiv përmes largimit të Ramës si kryeministër. Një kryeministër që nuk na çon në BE dhe një kryeopozitar që nuk na mundëson rrotacionin e pushtetit janë një bllokim dramatik për vendin.
*Drejtor i MAPO
Top Channel