Përshkallëzimi i protestës së opozitës, lëndohen nga molotovët dy efektivët e forcave Shqiponja, dërgohen drejt spitalit
Sikurse ishte paralajmëruar prej ditësh, pasditen e kësaj të diele, Partia Demokratike zhvillon protestën e saj kombëtare të radhës para Kryeministrisë.
Kreu i PD, Sali Berisha mbërriti pak para orës 18:00 në selinë blu, i veshur sportiv. Pas një takimi rreth 40 minutash, Berisha nisi marshimin bashkë me protestuesit drejt Kryeministrisë. Tubimi i sotëm nuk nisi me fjalime, por me molotovë drejt godinave.
Pas Kryeministrisë, u sulmua me molotovë ministria e Brendshme, e Infrastrukturës dhe selia e PS, ndërsa u dogj edhe një makinë policie. Ndërkohë Policia e Shtetit u kundërpërgjigj me autobotë me ujë dhe gaz lotsjellës për të ndarë turmën.
Sali Berisha u lëndua nga një spray në sy, ndërsa pati edhe probleme me frymëmarrjen. Kreu i PD u largua në drejtim të banesës së tij, dhe u rikthye sërish me maskë kundër gazit lotsjellës.
20:08 Sulmi me molotovë dhe përplasjet me policinë, blutë nisin shoqërimet e para të protestuesve
Policia e Shtetit ka nisur shoqërimet e para të protestuesve të Partisë Demokratike, të cilët hodhën molotovë në drejtim të disa godinave.
20:02 Sali Berisha ndihet keq nga gazi lotsjellës, rrethohet nga truprojat dhe largohet për në banesë
Sali Berisha ka braktisur protestën e opozitës, pasi është ndjerë keq nga gazi lotsjellës që hodhi policia.
20:00 Noka përplaset me policinë, thyen kordonin e sigurisë pranë Piramidës, hidhen molotovë
Është përshkallëzuar protesta e Partisë Demokratike. Deputeti Flamur Noka, së bashku me deputetin Luçiano Boçi, të ndihmuar nga protestuesit u përplasën me policinë dhe arritën të thyenin kordonin e Policisë.
19:41 PD me molotovë ndaj institucioneve, reagon Balla: I hedhin me flamujt e BE dhe gjermanë në duar
Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ka reaguar pas hedhjes së molotovëve gjatë protestës së demokratëve. Ai shkruan në Facebook se “Partia Demokratike i hedh molotovët me flamunjtë e BE dhe gjermanë në duar”, pavarësisht thirrjeve të këtyre të fundit për protesta jo të dhunshme.
19:41 Protestuesit drejtohen nga ish-Blloku, molotovët thyejnë xhamat e bizneseve
Protestuesit e opozitës, i janë drejtuar ish-Bllokut , edhe pse Policia e Shtetit kishte vendosur kordone me gardhe hekuri. Gazetarja e Top Channel Elda Menga raporton se gjatë marshimit drejt ish-bllokut janë hedhur flakadanë dhe molotovë, ndërsa janë dëmtuar dhe xhama të bizneseve buzë rrugës.
Top Channel ka ndjekur hap pas hapir protestën e opozitës, e cila nisi në Kryeministri e më pas u përhap me marshime në zona të tjera të kryeqytetit. Në pamjet me dron shihet numri i lartë i protestuesve që u mblodhën pasditen e sotme.
19:21 Protestuesit e PD i vënë flakën makinës së Policisë, kundërpërgjigje me gaz lotsjellës
Protestuesit e Partisë Demokratike vijojnë të hedhin molotovë, ndërsa ka marrë flakë edhe një automjet i Policisë së Shtetit pranë Bankës së Shqipërisë. Fillimisht sulmi me molotovë nisi në Kryeministri, vijoji drejt ministrisë së Brendshme dhe Infrastrukturës dhe selisë së PS.
19:14 Protestuesit sulmojnë me molotovë selinë e PS-së, policia hedh ujë drejt tyre
Protesta e demokratëve nisi me tensione, të cilat u përshkallëzuan më tej me hedhjen e vazhdueshme të molotovëve. Mbështetësit demokratë kanë sulmuar edhe selinë e PS-së me molotovë.
19:05 Turma e protestuesve niset drejt Bashkisë së Tiranës, sulmohen me molotovë dy ministri
Protestuesit e Partisë Demokratike janë nisur drejt Bashkisë së Tiranës, por fillimisht kanë hedhur molotovë drejt Ministrisë së Brendshme dhe ajo e Infrastrukturës. Pas hedhjes së molotovëve dhe fishekzjarrëve drejt Kryeministrisë, ata kanë vendosur të marshojnë.
Kryedemokrati Sali Berisha është larguar me nxitim nga zona e nxehtë e protestës, pas hedhjes së molotovëve nga demokratët drejt Kryeministrisë. Berisha është mbrojtur nga truprojat me çadër, pas përshkallëzimit të situatës.
Kanë nisur hedhjet e molotovëve dhe lëndëve piroteknike drejt godinës së Kryeministrisë. Me dhjetëra fishekzjarrë u hodhën në drejtim të godinës, ndërsa policia u kundërpërgjigj me hedhje uji nga të dyja anët dhe gaz lotsjellës.
18:42 Nis me tensione protesta e opozitës përpara Kryeministrisë, shpërthejnë molotovët
Ka nisur me tensione protesta e Partisë Demokratike, ku vetëm pak minuta pasi kryedemokrati Sali Berisha dhe protestuesit marshuan drejt Kryeministrisë, plasën molotovët. Qytetarët janë vendosur përpara Kryeministrisë për të protestuar, teksa të pranishëm janë edhe deputetët e PD-së.
18:39 Berisha del nga selia blu, bashkë me protestuesit marshon drejt Kryeministrisë
Pas një takimi rreth 40 minutash në selinë blu, kryedemorkati Sali Berisha ka nisur marshimin drejt Kryeministrisë. I shoqëruar nga deputetë demokratë dhe mbështetës, Berisha po ecën në këmbë drejt Kryeministrisë, ndërsa ende nuk dihet hapi i radhës.
Pas djegies së vilës së diktatorit Enver Hoxha në protestën e 20 shkurtit që e gjeti Policinë e Shtetit pa përgatitur, këtë të diel policia ka rrethuar me gardh metalik hyrjen për në ish bllok. Ende nuk dihet skenari i protestuesve, ndërkohë që janë blinduar me masa sigurie institucionet si Kryeministria, Kuvendi, dhe selia e PS.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin në shesh, për protestën e cila pritet të nisë në orën 18:00 para Kryeministrisë. Teksa uroi besimtarët për festën e Sulltan Novruzit, Berisha u shpreh se sot është “ditë e madhe në historinë e demokracisë në Shqipëri”.
10:55 PD protestë pa fjalime/ Mungon podium në shesh, blindohet Kryeministria
Siç raporton gazetarja e Top Channel Elda Menga, gjatë protestës së sotme nuk do ketë fjalime pasi në shesh vërehet mungesa e podium. Si gjithmonë para protestave të thirrura nga opozita, Kryeministria është rrethuar gardhe të hekurt ndërsa policia sot ka njoftuar rrugët të cilat do të bllokohen gjatë protestës. Ndërkohë ditën e djeshme kryedemokrati Sali Berisha zbuloi se deputetët do të bashkohen me protestuesit e zonës së tyre.
Nga ora 09:30 deri në përfundim të tubimit, do të bllokohet lëvizja e automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga Ura deri në kryqëzimin me rrugën “Ismail Qemali”; Nga ora 15:00 deri në përfundim të tubimit, do të bllokohen rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”. Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore. Në rast bllokimi, për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në këto akse, Policia e Tiranës ka marrë masa për devijimin e qarkullimit të automjeteve në rrugë alternative.
Top Channel