Administrata e Donald Trump ka nisur diskutimet paraprake për fazën tjetër të konfliktit me Iranin dhe perspektivat e mundshme për bisedime paqeje, ndërsa tensionet ushtarake mes dy vendeve vazhdojnë tashmë prej disa javësh.
Sipas një zyrtari amerikan dhe burimeve të njohura me këto konsultime, Uashingtoni po shqyrton kornizën për bisedime të mundshme me Teheranin, ndërsa Presidenti Trump duket se po vlerëson një de-eskalim gradual të situatës. Megjithatë, konfliktet ushtarake pritet të vazhdojnë edhe për dy deri tre javë të tjera.
Bashkëpunëtorë të ngushtë të presidentit, përfshirë Jared Kushner dhe Steve Witkoff, po marrin pjesë në diskutime mbi mundësinë e një marrëveshjeje diplomatike.
Kushtet kryesore që po shqyrtohen përfshijnë: rihapjen e transportit detar në Ngushticën e Hormuzit, kufizimin e rezervave të uraniumit të pasuruar të Iranit, një marrëveshje të gjerë mbi programin bërthamor, raketat balistike dhe ndalimin e mbështetjes për aleatët rajonalë të Teheranit.
Ndërkohë, nuk ka pasur komunikim të drejtpërdrejtë mes SHBA dhe Iranit, por vende si Egjipti, Katari dhe Mbretëria e Bashkuar kanë përcjellë mesazhe midis palëve.
Burimet amerikane thonë se pala iraniane duket e gatshme për negociata, por vendos kushte të rrepta, duke kërkuar armëpushim, garanci se sulmet nuk do të përsëriten dhe kompensim financiar.
Një zyrtar amerikan tha se presioni ushtarak ka kufizuar aftësitë e Teheranit dhe mund të çojë në një ulje të palës iraniane në tryezën e bisedimeve.
Ndërkohë, SHBA po kërkon një sërë angazhimesh, duke përfshirë:
Pezullim pesëvjeçar të programit të raketave balistike;
Zero pasurim me uranium;
Çmontimin e objekteve bërthamore në Natanz, Isfahan dhe Fordow;
Mbikëqyrje të rreptë ndërkombëtare të teknologjisë bërthamore;
Marrëveshje për kontrollin e armëve në rajon me vendet fqinje;
Ndalim të financimit të grupeve si Hezbollahu, Huthit dhe Hamasi.
Pala iraniane ka hedhur poshtë disa nga këto kushte, duke theksuar se negociatat me SHBA janë të vështira për shkak të ndërprerjeve të mëparshme nga veprime ushtarake të papritura.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, tha se normalizimi i situatës në Ngushticën e Hormuzit kërkon ndërprerjen e sulmeve amerikane dhe izraelite, si dhe garanci për të mos i përsëritur ato.
Trump është shfaqur i hapur për bisedime, por ende nuk ka pranuar kërkesën për armëpushim të menjëhershëm.
Top Channel