“Kaini dhe Abeli, të bijtë e Adamit” ngjiten në skenë/ Ngjarja biblike e ndërthurur me aktualitetin, në fokus të shfaqjes së regjisorit Rafael Hoxhaj

21/03/2026 15:46

Bijtë e parë të Adamit dhe Evës, Kaini dhe Abeli i ofruan flijime Zotit, që pranoi vetëm atë të Abelit.

Kaini i pushtuar nga xhelozia i merr jetën vëllait, duke kryer vrasjen e parë në histori sipas Biblës.

Kjo ngjarje biblike ishte pikënisje për regjisorin Rafael Hoxhaj për të vënë në skenën e Teatrit Eksperimental dramën “KAINI dhe ABELI – Të bijtë e Adamit”, që në fakt i flet aktualitetit.

“Po jetojmë në një moment krize emocionale dhe jo vetëm. Kemi zgjedhur Abelin dhe Kainin sepse flitet që aty është gjeneza, akti i parë i vrasjes. Sot, nuk flasim më vetëm për një akt, por për gjenocid, vrasje masive, varre masive, familje të shpërbëra, është e sotmja! Vrasja nuk ka më vetëm një emër, Kaini është shumëfishuar, është gjithkund”, tha aktori Rafael Hoxhaj.

Kaini i interpretuar nga aktori Silvio Goskova rikthehet nga Ferri në Tokë për të dhënë llogari për krimin që ndryshoi fatin e njerëzimit. Ai rrëfen historinë e një familjeje ku ndjenja e refuzimit e xhelozia ndaj Abelit, interpretuar nga Jurgen Marku e ktheu në vëllavrasës!

“Çdo vrasje mund të jetë e fundit. Vepra është shumë aktuale… Me luftrave që po ndodhin, po vriten fëmijë, të pafajshëm”, u shpreh aktori Jurgen Marku.

“Në fillim, ne kemi bërë një punë kërkimore të historisë origjinale dhe kemi arritur që të dalim në këtë konkluzion. Mendoj se është trajtuar në mënyrë shumë të gjetur ideja e familjes, e cila ndikon në të gjithë zhvillimin që pëson personazhi, përse shkon në atë pikë”, tha aktori Silvio Goskova.

Shfaqja e dramaturgut Bujar Hoxhaj frymëzohet nga veprat e Andrea Camilleri dhe José Saramago dhe vjen si një eksplorim mbi momentin kur njeriu bëhet armik i njeriut.

Për publikun, ngrihet pyetja ekzistenciale, a do të ekzistonte vrasja, nëse Kaini nuk do ta kishte vrarë Abelin?

“Nuk është kurrë vonë që vrasja të ndalet, mund të dorëzojmë gurin, në mënyrë simbolike, dhe të themi mjaft”, u shpreh aktori Rafael Hoxhaj.

Shfaqja premierë do të vijojë në Tetrin Eksperimental deri të dielën në mbrëmje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB