Nga pezullimi i programit të raketave balistike te uraniumi, cilat janë kërkesat e SHBA-së për paqen me Iranin
Administrata e Donald Trump ka nisur diskutime fillestare për fazën e ardhshme të konfliktit me Iran, si dhe për mundësinë e negociatave të paqes, ndërsa luftimet mund të zgjasin edhe disa javë të tjera.
Kështu raporton Axios, duke cituar një zyrtar amerikan dhe një burim të afërt me çështjen.
Sipas raportimit, presidenti Trump ka deklaruar se po shqyrton një “zvogëlim” gradual të konfliktit, megjithëse brenda administratës pritet që operacionet të vazhdojnë edhe për dy deri në tre javë. Paralelisht, këshilltarët e tij po punojnë për të krijuar bazat e një rruge të mundshme diplomatike.
Të dërguarit Jared Kushner dhe Steve Witkoff thuhet se janë përfshirë në diskutime paraprake. Aktualisht nuk ka kontakte të drejtpërdrejta mes Washington dhe Tehran, por Egjipti, Katari dhe Mbretëria e Bashkuar po veprojnë si ndërmjetës, duke përcjellë mesazhe mes palëve.
Bazuar në këto kontakte indirekte, Irani thuhet se është i gatshëm të negociojë, por me kushte të rrepta: armëpushim i menjëhershëm, garanci që armiqësitë nuk do të rifillojnë dhe kompensim financiar.
Sipas Axios, një marrëveshje e mundshme mund të përfshijë rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, kontrollin e rezervave të uraniumit shumë të pasuruar dhe një mirëkuptim afatgjatë mbi programin bërthamor të Iranit, raketat balistike dhe mbështetjen për grupet aleate në rajon.
Top Channel