Shfaqet afta epizootike në Greqi/ Shqipëria ndalon importin e kafshëve, sëmundja nuk ka kurë

20/03/2026 15:35

Shfaqja e sëmundjes së aftës epizootike në Greqi, ka bërë që Shqipëria të ndalojë  importin dhe tranzitimin e kafshëve nga  ky shtet.

Afta epizootike cilësohet si një nga sëmundjet më të rrezikshme të blegtorisë sepse ky virus nuk kurohet. Kafshët e infektuara asgjesohen, sepse ky infekesion përhapet në mënyrë të shpejtë tek lopët, delet, dhitë dhe derrat.

“Është një nga sëmundjet më të rënda  që ka hasur blegtoria. Nuk mjekohet afta epizootike sepse kur bëhet kafsha me shenja klinika ka mbaruar gjithçka. E rëndësishme është të parandalohet”, u shpreh mjeku veteriner, Prof.Dr.Vangjel Ceroni.

Edhe pse afta epizootike ndodhet jashtë kufijve tanë, blegtoria shqiptare është tepër e rrezikuar, sepse infeksioni transmetohet nga njerëzit dhe kafshët.

“Por distanca në vendin tonë nuk është hiç gjë, sepse viruset e aftës  epizootike kanë aftësi të hapen shumë shpejt në natyrë.  Në zonat bregdetare ku nuk ka pengesa shpejtësia e aftës epizotike shkon 30-50 km në ditë”, u shpreh mjeku veteriner.

Afta epizotike nuk rrezikon jetën e njeriut. Nga ana tjetër për kafshët ajo është tepër agresive sepse brenda një periudhe kohe shumë të shkurtër afta epizotike ka fuqi të asgjësojë kafshët e fermës.

“Sekreti i kësaj sëmundje është karantimi, parandalimi vigjilenca që nis që ka fermeri e deri tek shërbimi veterinar që është në ballë të kësaj lufte”, tha Ceroni.

Me urdhër të ministrit të bujqësisë pjesë e listës së ndalimit të produkteve me origjinë shtazore bëjnë pjesë edhe produktet e mishit të pa trajtuar termikisht, qumështi jashtë standardeve të sigurisë, importi i ledhit dhe i lëkurës së kafshëve. Gjithashtu është e ndaluar tregtia e materialeve biologjike të dythundrakëve.

“Por afta epizotike e di ku dallohet. Dallohet sepse në të njëjtën kohë preket lopë, dhi, dele, derra, dallohet sepse nuk prek vetëm një  fermë , komunë apo  fshat, por ajo  prek zona të tëra”, tha ai.

Kjo sëmundje për herë të parë në Shqipëri është përhapur në vitin 1996 në zonën e Korçës dhe Pogradecit, në ato vite prej aftës epizotike u asgjësuan 20 mijë krerë bagëti dy thundrakë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB