Paketa 5 miliardë-euroshe për luftën/ Spanja ul në 10% taksën e energjisë elektrike, Sanchez: Jam i zemëruar me situatën

20/03/2026 14:34

Qeveria e Spanjës ka miratuar një paketë ndihme prej 5 miliardë eurosh për të lehtësuar ndikimet ekonomike të luftës në Iran, duke përfshirë ulje taksash mbi energjinë.

Kryeministri Pedro Sanchez njoftoi të premten në Madrid se taksa mbi shitjen e energjisë elektrike do të ulet nga 21% në 10%, ndërsa disa taksa të tjera mbi energjinë do të hiqen.

Një mbledhje e jashtëzakonshme e kabinetit miratoi 80 masa që do të hyjnë në fuqi që nga e shtuna.

“Jam shumë i zemëruar me situatën,” tha Sanchez në një konferencë për shtyp.

Çmimet e karburanteve kanë shënuar rritje globale, dhe vendet evropiane po shqyrtojnë mënyra për të lehtësuar ndikimin ekonomik mbi qytetarët e tyre.

Qeveria spanjolle gjithashtu po punon për rritjen e importeve të gazit natyror nga Algjeria përmes një tubacioni. Spanja është një nga importuesit kryesorë të gazit të lëngshëm dhe një prej furnizuesve të saj kryesorë është Katari, i cili është goditur nga sulmet iraniane.

Megjithëse rritja e çmimeve të energjisë po ndikon mbi qytetarët, Spanja është më e mbrojtur krahasuar me krizën e mëparshme të energjisë falë prodhimit të madh të energjisë së ripërtëritshme, duke mbajtur disa nga çmimet më të ulëta të energjisë elektrike në Evropë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB