Izraeli mbyll xhaminë Al Aksa, besimtarët luten në rrugë: Hera e parë në dekada, jemi të trishtuar

20/03/2026 14:39

Për herë të parë prej dekadash, xhamia Al-Aksa u mbyll gjatë Bajramit të Madh, duke detyruar besimtarët që të luten jashtë dyerve të saj.

Pasi iu ndalua hyrja në kompleksin e ndodhur pranë mureve të Qytetit të Vjetër të Jerusalemit, qindra myslimanë u mblodhën të kremtonin pranë xhamisë, ku turmat që kerkonin hapësirë për lutje u përballën me gazin lotsjellës të policisë izraelite, e shumë prej tyre u detyruan të luteshin në rrugët përreth.

Autoritetet izraelite shpjeguan se kufizimet ishin vendosur për arsye sigurie pas shpërthimit të konfliktit me Iranin më 28 shkurt. Mbyllja ka prekur të gjitha vendet e shenjta në Qytetin e Vjetër, përfshirë këtu dhe Al-Aksan. Zyrtarët e Administratës Civile të Izraelit konfirmuan më herët në mars se qasja do të mbetej e kufizuar për të ruajtur sigurinë publike. Besimtarët u shprenë zemërthyer nga ky vendim.

“Si myslimanë, ne duhej të falnim lutjet e Bajramit në xhaminë Al-Aksa. Por pushtuesi, nën pretekstin e luftës dhe për qëllimet e veta, e ka mbyllur xhaminë prej njëzet ditësh. Nuk e dimë se çfarë ka ndodhur brenda. Prandaj vendosëm të mblidhemi në pikën më të afërt me xhaminë Al-Aksa për të treguar se ajo i përket vetëm myslimanëve”, u shpreh Ayman Abou Najm, imam nga Beit Hanina.

“Ramazani i këtij viti është mbushur me trishtim dhe dhimbje për shkak të situatës shkatërruese që prek gjithë myslimanët, jo vetëm popullin e Palestinës, përfshirë ata në Jerusalem, por edhe myslimanët në mbarë botën”, u shpreh besimtari myslimani, Wajdi Mohammed Shweiki.

“Ramazani i këtij viti filloi mirë, por pas 10 ditësh, kur u mbyll xhamia Al-Aksa dhe filloi lufta, u trishtuam. Nuk mundëm të falnim as lutjen e agimit”, tha besimtari mysliman Zeyad Mona.

Teksa një sërë raketash iraniane kanë shënjestruar Izraelin, autoritetet atje i ndaluan tubimet me mbi 50 persona për të minimizuar viktimat e mundshme. Sipas studiuesve, kjo është hera e parë që xhamia Al-Aksa, vendi i tretë më i shenjtë i Islamit, mbyllet gjatë 10 ditëve të fundit të Ramazanit dhe Bajramit te Madh që nga aneksimi i Jerusalemit Lindor nga Izraeli në vitin 1967.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB