Nëntë shërbime në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” pritet të kenë drejtues të rinj.

Që prej datës 10 shkurt është hapur gara për kandidatët që do të përzgjidhen në drejtimin e këtyre shërbimeve dhe shqyrtimi i dosjeve të tyre është drejt fundit.

Bëhet fjalë për shërbime të rëndësishme siç janë Anestezi-Reanimacioni, Neurologjia, Shërbimi i Onkologjisë, Dermatologjisë, Reumatologjisë, Nefrologjisë Pediatrike, shefat e të cilëve kanë mbushur moshën e pensionit dhe e dorëzojnë këtë funksion.

Top Channel ka mësuar emrat e disa prej kandidatëve që kanë ambicie të marrin në dorë drejtimin e shërbimeve të rëndësishme në QSUT.

Më e fortë duket gara në shërbimin onkologjik, ku përveç Prof. Helidon Ninit garon edhe Dr.Fatjona Kraja.

Po kështu, garë e fortë është për drejtimin e shërbimit të neurologjisë, ku marrin pjesë 3 kandidatë: mjeku neurolog Altin Kuqo, Prof. Ilirjana Zekja dhe Dr. Gentian Vyshka.

Në shërbimin e Toksikologjisë ka gjithashtu 4 kandidatë. Në garë është shefi që drejton aktualisht këtë shërbim, Prof. Andrin Tahiri, po ashtu e synojnë pozicionin Esmeralda Thoma, Alert Drishti dhe Irena Ceko.

Ndërsa në krye të shërbimit të Anestezi-Reanimacionit do të jetë Prof. Krenar Lilaj, i cili e drejton aktualisht dhe do të vazhdojë të drejtojë këtë shërbim pasi është kandidati i vetëm në këtë garë.

Po kështu, në krye të shërbimit të Dermatologjisë pritet të jetë Prof. Monika Fida, e cila është kandidate e vetme në garë dhe zëvendëson Prof. Ermira Vasilin.

Në krye të Nefrologjisë Pediatrike do të jetë Prof. Diamant Shtiza dhe në krye të Onkohematologjisë Pediatrike do të jetë Prof. Donjeta Bali.

Kandidatët për shefa shërbimi në QSUT:

Shërbimi i Anestezisë – Reanimacionit: Prof. Krenar Lilaj

Shërbimi i Dermatologjisë: Prof. Monika Fida

Shërbimi Onkologjik: Prof. Helidon Nini

Shërbimi i Toksikologjisë Klinike: Prof. Andrin Tahiri, Irena Thoma, Alert Drishti, Irena Ceko

Shërbimi i Neurologjisë: Prof. Ilirjana Zekja, Dr. Altin Kuqo, Dr. Gentian Vyshka

Shërbimi i Onkohematologjisë Pediatrike: Prof. Donjeta Bali

Shërbimi i Nefrologjisë Pediatrike: Prof. Diamant Shtiza

Shërbimi i Reumatologjisë: Prof. Ela Petrela, Dr. Ergeta Ktona, Dr. Arber Pecani, Dr. Artur Zoto

Shërbimi i Alergologjisë: Prof. Mehmet Hoxha

Që prej datës 10 shkurt është hapur gara. Mjekët e rinj kanë dorëzuar dosjet e tyre për të marrë drejtimin e këtyre shërbimeve (tabela me emrat e shërbimeve).

Kandidatët duhet të kenë titullin profesor, por pranohen edhe ata me doktoraturë të mbrojtur në universitete të vendeve të BE, SHBA, Kanada, Turqi, Japoni.

Gjithashtu, kandidati duhet të ketë përvojë akademike si pedagog me kohë të plotë jo më pak se 5 vjet, si dhe përvojë klinike diagnostike jo më pak se 10 vjet në specialitetin përkatës.

Përveç CV-së, kandidatët konkurrojnë ndërmjet tyre me një platformë strategjike katërvjeçare për vizionin me të cilin do të drejtojnë shërbimin që synojnë.

Komisioni i vlerësimit po shqyrton dosjet e kandidatëve për të shpallur më pas emrat e drejtuesve të rinj, një pjesë e të cilëve kanë qenë të komanduar deri më tani dhe janë pjesë e garës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB