Franca ndalon anijen me naftë ruse në Mesdhe, reagon Macron: Synojnë të financojnë luftën e Moskës

20/03/2026 14:14

Marina franceze ka ndaluar një tanker nafte në Mesdheun Perëndimor, i cili sipas presidentit Emmanuel Macron i përkiste “flotës hije” të Rusisë – një rrjet anijesh që lejon Moskën të eksportojë naftë pavarësisht sanksioneve perëndimore.

Sipas autoriteteve lokale, anija me flamur të Mozambikut, e quajtur Deyna, dyshohet se po lëvizte me flamur të rremë dhe ishte nisur nga porti rus i Murmanskit.

Operacioni u krye në bashkëpunim me aleatët britanikë, tha prefektura franceze e Mesdheut.

Rusia nuk ka komentuar për sekuestrimin e tankerit, por më parë e ka cilësuar kapjen e anijeve të saj ose të ngarkesave të saj si një akt piraterie. Sipas kërkesës së prokurorit, anija u shoqërua në një pikë ankorimi për inspektim të mëtejshëm.

“Këto anije, që shmangin sanksionet ndërkombëtare dhe shkelin ligjin detar, janë përfitues të luftës. Ato synojnë të nxjerrin fitime dhe të financojnë përpjekjet e Rusisë në luftë,” shkroi Macron në rrjetin X.

Ky është sekuestrimi i dytë i këtij lloji nga Franca në muajt e fundit. Në janar, Franca ndaloi tankerin Grinch midis bregdetit jugor të Spanjës dhe veriut të Marokut, gjithashtu për pjesëmarrje në flotën e hijes ruse.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB