Arti hap Vilën 31/ Instalacione dhe kujtesë historike, godina e famshme e komunizmit mirëpret publikun pas incidentit gjatë protestës së opozitës

20/03/2026 15:42

Skena e flakëve që përfshinë vilën e ish-diktatorit Enver Hoxha nga molotovët e protestuesve të opozitës mbetet një kujtim i hidhur për artistët që ndodheshin në godinë rreth një muaj më pas.

“Ishte një moment i vështirë, por e kaluam të gjithë bashkë”, u shpreh artistja polake Agnieszka Mastalerz.

Objekti u pastrua dhe sot mirëpriti vizitorët që u panë nga afër punimet e shtatë artistëve që kanë qëndruar dhe krijuar në Vilën 31 tre muajt e fundit.

Projekti i artistit vizual Kemil Bekteši “Si të tresësh sekrete” vjen në formën e një libri gatimi, që në vend të shpjegojë si përgatitet një pjatë, zbulon dëshmi personale për mënyrën si ushqeheshin shqiptarët gjatë komunizmit.

Autori bazohet në ngjarjen e shkatërrimit dosjesh sekrete që i përkisnin Ministrisë së Punëve të Brendshme, me qëllim eliminimin e provave të krimeve të diktaturës.

“Ata përdorën brumatriçe për të shkatërruar dosjet. Duke ndjekur të njëjtin parim çdo recetë e përfshirë në librin e gatimit shoqërohet me një objekt skulpturor të realizuar nga letër e ricikluar”, u shpreh artisti vizual Kemil Bekteši.

Në një hapësirë tjetër në vilë, artistja nga Kosova, Lumturie Krasniqi, prezanton projektin e saj “Gjarpri mbi kodër”.

“Cikli lidhet me hulumtimin rreth të legjendës së gjarprit me flokë. Duke u nisur nga historia e kësaj vile kam dashur të kem përjetimin personal në një shtëpi që ka një arkitekturë shumë të bukur, por në të njëjtën kohë ka historinë dhe energjinë e së kaluarës. Admiron objektin, por njëkohësisht ndjen rëndesën që mbart me vete”, u shpreh artisja vizuale Lumturie Krasniqi.

Në vend që të ilustrojë folklorin, gjarpri bëhet metaforë për dualitetin: mbrojtje apo rrezik, strehë apo ekspozim. Nest vendoset në fundin e pishinës së zbrazur, një formë gjarpëruese pa kokë që qëndron poshtë strukturës, i pasigurt mes folesë dhe kurthit.

Ndërsa Agnieszka Mastalerz erdhi nga Polonia për të eksploruar traditën e endjes së mëndafshit në Shqipëri dhe krijoi instalacionin “Flutura” me mëndafshin e nxjerrë nga gratë e Zadrimës.

 “Ishte mbresëlënëse si ato rrisin krimba mëndafshi dhe kultivonin mëndafsh, duke ruajtur këtë trashëgimi kulturore”, u shpreh artistja vizuale Agnieszka Mastalerz.

Vilën 31 x Art Explora mirëpret publikun deri të dielën në mbrëmje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB