Protesta e demokratëve të dielën, Ambasada Amerikane në Tiranë paralajmëron qytetarët e saj: Shmangni zonat ku do të jenë demonstruesit
Gjykata e Posaçme Antikorrupsion kaloi për gjykim dosjen e grupit kriminal “Bajri”, për vrasjen e Fatbardh Licit.
Për gjykim kanë kaluar Safet Bajri, ish e dashura e tij, Eria Ago, Astmer Bilali dhe Behar Bajri (Rustemi) për veprën penale të vrasjes në dëm të Fatbardh Licit, ngjarje e ndodhur në gusht të vitit 2018 në Shkodër.
Safet e Behar Bajri, si dhe Astemer Bilali, do të përballen me drejtësinë për akuzat që SPAK ka ngritur ndaj tyre: “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunimi, “grup i strukturuar kriminal” dhe “Mbajtje pa leje e armëve luftarake”.
Ndërsa, Eria Ago akuzohet për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, pasi ka drejtuar një prej makinave të përdorura gjatë këtij krimi.
Vrasja e Fatbardh Licit është kryer për hakmarrje pas dyshimeve të Behar Bajrit se Ibrahim Lici kishte vrarë një pjesëtar të grupit të tyre, ish-policin Boran Bërçana, në korrik të vitit 2018, i cili u ekzekutua në makinë bashkë me partneren Silvi Ndoci, ndërsa fëmija 3-vjeçar shpëtoi.
Pas kësaj ngjarjeje, Behar Bajri, në bashkëpunim me Safet Bajri dhe Astmer Bilalin kanë organizuar dhe vrarë xhaxhain e Ibrahim Licit, Fatbardh Licin, duke e qëlluar me breshëri plumbash, teksa po pinte kafen në lagjen Kiras të Shkodrës.
Njoftimi i plotë:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 25.11.2025 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Dërgimin në gjyq të çështjes penale që i përket procedimit penal nr. 112, të vitit 2019, në ngarkim të të pandehurve: Behar Brajoviq (Bajri), Safet Rustemi (Bajri), Astmer Bilali dhe Eria Ago”.
2. Në seancën e datës 19.03.2026 (seanca paraprake), Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Elsa Ulliri, pasi shqyrtoi pretendimet e palëve, me vendimin nr. 42/180, datë 19.03.2026, vendosi:
1. Pranimin e kërkesës.
2. Dërgimin në gjyq të çështjes penale që i përket procedimit penal nr. 112, të vitit 2019, në ngarkim të të pandehurve:
i. Behar M. Brajoviq i akuzuar për kryerjen e veprave penale:
a. “Vrasja me paramendim”, kryer për hakmarrje në dëm të viktimës F.L, kryer në bashkëpunim, në formën e veçantë, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 78 paragrafi i dytë dhe 28, pika 4 e K.Penal;
b. “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunim, në formën e veçantë, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 278 paragrafi i parë dhe 28, pika 4 e K.Penal;
c. “Grupi i strukturuar kriminal”, në formën e drejtimit dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi
i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a, paragrafi i parë dhe 334 pika e parë dhe e dytë e K.Penal.
ii. Safet J. Rustemi i akuzuar për kryerjen e veprave penale:
a. “Vrasja me paramendim”, kryer për hakmarrje në dëm të viktimës F.L, kryer në bashkëpunim, në formën e veçantë, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 78 paragrafi i dytë dhe 28, pika 4 e K.Penal;
b. “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunim, në formën e veçantë, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 278 paragrafi i parë parashikimit të bërë sipas ligjit nr.82/2016 dhe 28, pika 4 e K.Penal;
c. “Grupi i strukturuar kriminal”, në formën e pjesëmarrësit dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a, paragrafi i dytëdhe 334 pika e parë dhe e dytë e K.Penal.
iii. Astmer A. Bilali i akuzuar për kryerjen e veprave penale:
a. “Vrasja me paramendim”, kryer për hakmarrje në dëm të viktimës F.L, kryer në bashkëpunim, në formën e veçantë, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 78 paragrafi i dytë dhe 28, pika 4 e K.Penal;
b. “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunim, në formën e veçantë, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 278 paragrafi i parë dhe 28, pika 4 e K.Penal;
c. “Grupi i strukturuar kriminal”, në formën e pjesëmarrësit dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a, paragrafi i dytë dhe 334 pika e parë dhe e dytë e K.Penal.
iv. Eria G. Ago e akuzuar për kryerjen e veprës penale “Përkrahja e autorit të krimit”, parashikuar nga neni 302 paragrafi i dytë i K.Penal.
3. Dërgimin e çështjes për gjykim pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me tjetër trup gjykues, të përbërë nga tre gjyqtarë.
4. Fashikulli i gjykimit në bazë të nenit 332/ë pika 4 e K.Pr.Penale do të përmbajë të gjitha aktet që janë kryer gjatë hetimeve paraprake dhe që ndodhen në dosjen penale të procedimit penal Nr.112/2019 të Prokurorisë së Posaçme kundër
Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar si dhe aktet e kryera gjatë seancës paraprake.
5. Pjesë e fashikullit të gjykimit bëhet edhe kërkesa për gjykim të shkurtuar e paraqitur nga e pandehura Eria Ago.
6. Kundër këtij vendimi nuk lejohet ankim.
Top Channel