Video/ Momenti kur policia “mësyn” në magazinën e mbushur me kanabis. Shpallet në kërkim pronari, drejtor i burgut të Rrogozhinës, i përfshirë edhe përgjegjësi i OSHEE-së

19/03/2026 17:07

Policia ka publikuar pamjet ku shihet momenti në të cilin ndërhyjnë në godinën e mbushur me kanabis, e cila rezulton të jetë në pronësi të drejtorit të burgut të Rrogozhinës, Bilal Hasa.

Blutë njoftojnë se aty u gjetën 4000 bimë kanabisi, llamba, neonë dhe pajisje të tjera elektrike.

Në kuadër të operacionit “Kurtaj” u shpall në kërkim pronari i ambientit dhe përgjegjësi i OSHEE-së për Peqinin, për shpërdorim detyre.

“Gjatë kontrollit, në bodrumin e një magazine, u konstatuan 2 ambiente të përshtatura për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave, ku ishin kultivuar rreth 4000 bimë kanabis.

Nga veprimet hetimore rezultoi se ambienti është në pronësi të shtetasit B. H., i cili u shpall në kërkim.

Në vijim të veprimeve, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, u shpall në kërkim edhe shtetasi E. M., me detyrë përgjegjës i OSHEE-së për zonën e Peqinit. Shërbimet e Policisë vijojnë punën për kapjen e tyre.

Operacioni, nën drejtimin e Prokurorisë Elbasan, vijon, ndërsa po punohet intensivisht për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale”, njofton policia.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB