Këshilli i Ministrave merr vendimin për krijimin e bazës së të dhënave shtetërore për gjobat, si do të funksionojë regjistri për ekzekutimin dhe vjeljen e tyre Merr një kthesë të re çështja e operacionit policor të koduar “Kurtaj”, ku në një magazinë në fshatin Kurtaj, Njësia Administrative Gjocaj, u zbuluan rreth 4000 bimë kanabisi të kultivuara në ambiente të mbyllura me anë të llambave.
Burime të besueshme bëjnë me dije se drejtori i Burgut të Rrogozhinës, Bilal Hasa, është vetëparaqitur në polici, për të dhënë sqarime të plota lidhur me ngjarjen, pasi emri i tij u përfshi në njoftimin zyrtar të Policisë së Shtetit si pronar i objektit ku u zbulua lënda narkotike.
Sipas të njëjtave burime, Hasa ka hedhur poshtë pretendimet e ngritura në njoftimin policor, duke deklaruar se nuk ka asnjë lidhje me veprimtarinë e paligjshme të zbuluar në godinë. Mësohet se ai ka pohuar se prej disa muajsh nuk ka shkuar në atë objekt dhe se nuk ka pasur dijeni për atë që mund të ishte ushtruar aty.
Ndërkohë, një burim zyrtar policor ka bërë me dije se po hetohet edhe pista që lidhja e paligjshme e energjisë elektrike në objekt mund të jetë kryer nga vëllai i tij, i cili jeton në fshat, çka shton dyshimet se drejtori i Burgut të Rrogozhinës mund të mos ketë qenë në dijeni të aktivitetit të paligjshëm të zhvilluar në ambientet e godinës.
Kjo lëvizje e fundit, pra paraqitja vullnetare në polici e Bilal Hasës, shihet si një zhvillim i rëndësishëm në hetim, pasi pritet të ndihmojë në zbardhjen e roleve dhe përgjegjësive konkrete për kultivimin e kanabisit në këtë objekt.
Sipas njoftimit zyrtar të shpërndarë nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, operacioni “Kurtaj” u zhvillua nga Drejtoria për Krimet në Volum, në bashkëpunim me DVP Elbasan dhe Komisariatin e Policisë Peqin, nën drejtimin e Prokurorisë Elbasan.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në fshatin Kurtaj, shërbimet e Policisë zbuluan në bodrumin e një magazine dy ambiente të përshtatura për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave, ku ishin mbjellë rreth 4000 bimë kanabisi. Po ashtu u sekuestruan llamba, neonë dhe pajisje të tjera elektrike, të cilat dyshohet se përdoreshin për mbajtjen në funksion të kësaj veprimtarie të paligjshme.
Nga veprimet e para hetimore, Policia bëri me dije se objekti rezulton në pronësi të shtetasit Bilal Hasa, për të cilin fillimisht u shpall kërkimi. Por zhvillimet e fundit tregojnë se ai është paraqitur vetë pranë organeve ligjzbatuese për të dhënë versionin e tij mbi ngjarjen.
Në kuadër të të njëjtit operacion, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, u shpall në kërkim edhe shtetasi me iniciale E. M., me detyrë përgjegjës i OSHEE-së për zonën e Peqinit.
Burime nga hetimi bëjnë me dije se tashmë fokusi është zhvendosur jo vetëm te pronësia e objektit, por mbi të gjitha te identifikimi i personit ose personave që kanë administruar konkretisht ambientin, kanë siguruar lidhjen e energjisë dhe kanë organizuar kultivimin e drogës në të.
Operacioni “Kurtaj” vijon nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, ndërsa hetuesit po punojnë për të dokumentuar të gjithë skemën dhe për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale çdo person të përfshirë.
Top Channel