Europa League/Celta eliminon Olympique Lyon, në çerekfinale e pret sfida me Freiburg
Polonia, i njëjtin shtet, e njëjta skuadër për të njëjtin qëllim, por dy epoka të ndryshme.
Më 26 mars, kombëtarja shqiptare udhëton sërish në Poloni me të njëjtin bast historik mbi shpatulla: një vend në Botërorin e Madh. Por kjo nuk është hera e parë që kuqezinjtë janë ndodhur para kësaj zgjedhjeje.
Ishte vjeshta e vitit 1984. Shqipëria udhëtoi drejt qytetit të Mielecit edhe atëherë në kualifikueset e Botërorit, atë të Meksikës ’86.
Në fushë e priste Polonia e Zbigniew Boniekut, e njëjtit njeri që disa muaj më parë kishte ndihmuar Juventusin të fitonte Kupën e Kampionëve. Ndaj Shqipërisë, luanin Zmuda, Dziekanowski, Smolarek, gati gjysma e skuadrës që kishte zënë vendin e tretë në Botërorin e Spanjës ’82. Por kuqezinjtë e asaj kohe nuk trembeshin lehtë.
“Ne kur shkonim atëherë jashtë e kishim mendjen me dalë e me blerë gjëra, por kur futeshim në fushë, trajneri s’na bënte presion, thoshte, hyni, jepni më të mirën”,tha Agustin Kola, ish-futbollist i kombëtares.
Fjalë të sinqeta dhe të drejtpërdrejta të Agustin Kolësi cili në atë ndeshje dha pikërisht më të mirë, duke shënuar në minutn e 75-të, gol që i dha avantazhin e përkohshëm kuqezinjëve përballë gjigantit polak.
Edhe pse Polonia barazoi pak minuta më vonë, rezultati 2-2 në Mielec u bë një nga momentet e artë të historisë kombëtare. Pas këtij barazimi ekipi ynë erdhi në “Qemal Stafa” për të mundur Belgjikën dhe Shqipëria gjendej, për herë të parë, në garë reale për Botërorin. Vetëm humbja ndaj Greqisë e shua ëndrrën.
Tani, 42 vjet më vonë, historia rrotullohet sërish. Shqipëria e Sylvinhos, me Asllanin, Brojan dhe Muçin, gjen sërish Poloninë si pengesën e rradhës para Botërorit. Por Agustin Kola e sheh këtë sfidë me sy të ndryshëm nga shumica.
“Presioni është mbi Poloninë, për ta është e vështirë psikologjikisht të mundën nga ne, sesa për ne të mundemi prej tyre. Ne kemi gjithmonë më pak për të humbur.”
Dhe historia i jep të drejtë. Shqipëria ka fituar ndaj Polonisë në kualifikueset e fundit dhe tani shkon në Varshavë jo si mysafir i nënshtruar, por si rival me vetëbesim dhe me kujtesën e atyre që kanë qenë aty më parë. Atëherë nuk arritëm.
Tani ëndërra është e njëjtë por rruga mund të jetë e ndryshme.
Top Channel