“Përdorimi i raketave greke Patriot në Arabinë Saudite nuk përbën përfshirje në luftë”, përplasje politike në Greqi për incidentin me raketat iraniane

19/03/2026 18:24

Përdorimi i një baterie greke “Patriot” në Arabinë Saudite për rrëzimin e dy raketave balistike iraniane që kishin si objektiv instalimet energjetike dhe infrastrukturore, ka shkaktuar reagim të fortë politik dhe mediatik në Greqi.

Partitë e opozitës akuzojnë qeverinë se ky veprim përbën de facto përfshirje të vendit në konfliktin e armatosur në Lindjen e Mesme ndaj kërkojnë tërheqjen e menjëhershme të sistemit raketor dhe kthimin e personelit ushtarak, duke paralajmëruar për rreziqe serioze për sigurinë e vendit.

Qeveria e mohon kategorikisht këtë interpretim. Si zëdhënësi i qeverisë ashtu edhe ministri i Mbrojtjes Nikos Dendias theksojnë se bëhet fjalë vetëm për një mision mbrojtës në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar.
Pavlos Marinakis, zëdhënës i qeverisë:

Jo. Nuk është çështje përfshirjeje. Është një veprim mbrojtës. Është një veprim parandalues. Dhe siç tha shumë qartë pak më parë Ministri i Mbrojtjes Kombëtare, z. Nikos Dendias, “në këtë mënyrë bateria greke dëshmon se sa e gatshme luftarake është dhe çfarë përvoje është fituar gjatë gjithë kësaj kohe.

Sistemet greke “Patriott” ndodhen në Arabinë Saudite prej disa vitesh. Ato u vendosën pas marrëveshjes së bashkëpunimit ushtarak midis dy vendeve në vitin 2021, kur infrastruktura energjetike saudite dhe kryesisht objektet e kompanisë shtetërore të naftës Saudi Aramco në zonën e Yanbu ishin bërë objekt sulmesh me raketa dhe dronë nga rebelët Houthi të Jemenit.

Forca greke përbëhet nga rreth 120–130 pjesëtarë të Forcave Ajrore, ndërsa qëndrimi i saj është zgjatur disa herë me kërkesë të Riadit dhe pritet të vazhdojë të paktën deri në fund të vitit 2026.

Sipas Shtabit të Përgjithshëm të Mbrojtjes Kombëtare, sistemet u aktivizuan pas alarmit për një kërcënim të afërt dhe u lëshuan dy raketa interceptuese që neutralizuan objektivat balistike. Kontingjenti grek vazhdon normalisht misionin e tij në rajon.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB