Pedagogët e Arteve në alarm/ Titujt nuk njihen, pedagogët paralajmërojnë bojkot mësimi nëse s’marrin zgjidhje

19/03/2026 15:30

Në 2021, Universiteti i Arteve fitoi një status të veçantë si institucion i arsimit të lartë me profil artistik, me vendim të Këshillit të Ministrave.

Pas kësaj, në 2024, Senati Akademik i Universitetit të Arteve miratoi vendimet për promovimin akademik të stafit, duke i dhënë një pjese të pedagogëve tituj të rinj akademikë, përfshirë titullin “Profesor i Asociuar në Arte”. Por, sipas tyre, këto vendime nuk janë zbatuar as në aspektin financiar, as në atë administrative.

Josif Gjipali, tenor, pedagog në Universitetin e Arteve thotë se “Përfaqësia e Asamblesë së stafit akademik të Universitetit të Arteve shpreh shqetësimin e thellë lidhur me situatën e krijuar pas vendimit të senatit akademik, që pavarësisht vendimit, nuk ka gjetur zbatim të plotë institucional”.

Moszbatimi i vendimeve të një organi kolegjial si senati akademik, krijon një precedent për funksionim e brendshëm të universitetit, duke vënë në pikëpyetje sigurinë juridike të akteve akademike.

Duke folur në emër të pedagogëve të Arteve, tenori Josif Gjipali akuzoi institucionin që  ka ndërmarrë hapa për të detyruar pedagogët të ndjekin doktoraturën, me kosto financiare dhe programe që nuk përputhen me profilin e tyre artistik.

Përfaqësia e Asamblesë ka ndjekur rrugën institucionale për adresimin e kësaj çështjeje dhe i kërkuar zyrtarisht rektoratit një sqarim të plotë. Në mungesë të një reagimi apo përgjigje, do të shqyrtojmë të gjitha mjetet ligjore për të garantuar respektimin e vendimeve akademike”, shton ai.

Sipas tyre, kjo situatë prek funksionimin e përgjithshëm të universitetit dhe standardet e arsimit të lartë në fushën e arteve.

Kërkojmë nga Ministria e Arsimit dhe organet akademike që të marrin të gjitha masat që të realizohet kërkesa, që është jetike për ekzistencën e Universitetit të Arteve”, tha Sandër Kovaçi, Sindikata e Pegadogëve.

Pedagogët që dhanë deklaratën për mediat këtë të enjte e vijojnë këtë betejë prej më shumë se një viti dhe tashmë paralajmërojnë edhe bojkot të procesit mësimor deri në marrjen e një përgjigjeje.

 

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB